Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhja e kreut të SPAK, Gonzato me gjyqtarët e KLP dhe KLGJ: Prokurori i ri duhet të jetë me integritet dhe i përkushtuar ndaj standardeve të BE-së


Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, do të marrë pjesë së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK ditën e enjte.

Në prag të këtij zhvillimi të rëndësishëm, Gonzato zhvilloi sot një takim me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë.

Ai theksoi dy çështje që mbeten kryesore për gjyqësorin: vlerësimet realisht transparente dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve për sigurinë në gjykata.

Në prag të zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, ditën e enjte (11 dhjetor), ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.