Vendosni fjalën kyçe....

Të huajt shpenzuan 4.4 miliardë euro në Shqipëri, shqiptarët jashtë 2.1 miliardë euro


Si shpenzimet e të huajve që vijnë për udhëtime në Shqipëri, ashtu dhe paratë që shqiptarët nxjerrin nga xhepi kur dalin jashtë vendit janë rritur ndjeshëm përgjatë 9 muajve të këtij viti.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se për periudhën janar-shtator, shpenzimet e të huajve në Shqipëri kanë arritur rekordin e 4.4 miliardë eurove, duke u rritur me 14.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Niveli më i lartë i shpenzimeve ishte në tremujorin e tretë të vitit, që përkon me kulmin e sezonit turistik. Për muajt e verës, të huajt që vijnë në Shqipëri për turizëm, apo qëllime të tjera shpenzuan një rekord prej 2.3 miliardë eurosh, me një rritje prej 21.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat e rritjes së ndjeshme të publikuara nga banka e Shqipërisë nuk janë në linjë me deklarimet e operatorëve turistikë, që thonë se turistët që vijnë në Shqipëri po shpenzojnë gjithnjë e më pak, apo me kompanitë e mëdha shpërndarëse dhe prodhuese që thanë se u mbeti malli stok për shkak se prodhuan shumë në pritje të konsumit të lartë nga turizmi, por u zhgënjyen.

Edhe të dhënat e tjera të INSTAT treguan se për janar- shtator, në vend hynë 10.2 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 5.7%. Për periudhën korrik-shtator hynë 5.4 milionë shtetas të huaj, ose 6.2% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas të dhënave të kombinuara rezulton se shpenzimi mesatar për turist është rritur në 431 euro për 9 mujorin, nga 398 euro në janar-shtator 2024.

Edhe shqiptarët nuk kursehen jashtë, përmirësohet bilanci

Edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë arritur një nvel rekord, në 2.1 miliardë euro, me një rritje prej gati 20% në krahasim me janar-shtator 2024.

Rritja e fortë e të hyrave nga të huajt ka bërë që bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe të shqiptarëee jashtë të përmirësohet, duke arritur në 2.1 miliardë euro për 9 mujorin 2025, që është praktikisht shuma neto që i mbetet vendit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor