Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra qytetarë protestë në Bullgari, kërkojnë dorëheqjen e qeverisë


Mijëra bullgarë u mblodhën të mërkurën në mbrëmje kundër qeverisë së pakicës në vend dhe asaj që ata e quajnë dështim për të trajtuar korrupsionin endemik në shtetin më të varfër anëtar të Bashkimit Evropian.

Protestat në kryeqytetin Sofje dhe në dhjetëra qytete dhe qyteza të tjera në mbarë këtë komb të Detit të Zi janë më të fundit në një seri demonstratash të vazhdueshme dhe vijnë në një kohë kur Bullgaria po përgatitet të adoptojë euron më 1 janar.

Protestuesit përdorën lazer për të projektuar fjalët “Dorëheqje”, “Mafia Jashtë” dhe “Për Zgjedhje të Drejta” në ndërtesën e parlamentit në qendër të Sofjes.

“Mendoj se energjia e popullit gradualisht do t’i detyrojë ata të japin dorëheqjen, sepse nevojiten shumë reforma,” tha Dobri Lakov, 64 vjeç, një banor i Sofjes.

“Para së gjithash, reforma në drejtësi. Nëse sistemi i drejtësisë rregullohet, gjithçka tjetër do të shkojë në vendin e vet, absolutisht gjithçka.”

Parlamenti i Bullgarisë do mbajë të enjten një votë mosbesimi ndaj qeverisë së Kryeministrit Rosen Zheleznikov, vota e gjashtë e tillë që kur mori pushtetin më 15 janar të këtij viti.

Javën e kaluar, qeveria tërhoqi planin e saj buxhetor për vitin 2026, i pari i hartuar në euro, për shkak të protestave masive. Partitë opozitare dhe organizatat e tjera thanë se po protestonin kundër planeve për të rritur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksat mbi dividentët për të financuar shpenzimet më të larta shtetërore.

Pavarësisht tërheqjes së qeverisë nga plani buxhetor, protestat kanë vazhduar pa u ndalur në një vend i cili ka mbajtur shtatë zgjedhje kombëtare në katër vitet e fundit – së fundmi në tetor 2024 – në mes të ndarjeve të thella politike dhe sociale.

“Është koha që më në fund të vijë normaliteti në Bullgari dhe ne të çlirohemi nga oligarkia, mafia dhe forcat që i përfaqësojnë ato,” tha Angelin Bahchevanov, një specialist i IT-së.

Agjencia bullgare e lajmeve BTA raportoi të mërkurën se Boyko Borissov, ish-kryeministër dhe lider i partisë në pushtet GERB, tha se partnerët e koalicionit qeverisës kishin rënë dakord të mos jepnin dorëheqjen para se Bullgaria të bashkohet me eurozonën më 1 janar, shkruan Reuters.

Megjithatë, Assen Vassilev i partisë opozitare reformiste “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, e cila ishte ndër organizatorët e protestës së së mërkurës, tha: “Ne do të hyjmë në eurozonë, edhe nëse qeveria ka dhënë dorëheqjen.”