
Fermerët protestues në Greqi ndërprenë të mërkurën operacionet në portin rajonal të Volosit, ndërsa protestat dhe bllokadat mbarëkombëtare kundër politikave bujqësore dhe vonesave në pagesat e ndihmës shtetërore vazhdojnë.
Dhjetëra fermerë u mblodhën në portin e Volosit si pjesë e një vale demonstrimesh në të gjithë vendin, duke protestuar kundër vonesave në pagesat e subvencioneve bujqësore dhe rritjes së vazhdueshme të kostove të prodhimit.
Prej ditësh, fermerët kanë dislokuar mijëra traktorë dhe kamionë në dhjetëra pika bllokimi, duke ndërprerë trafikun në kryqëzime të rëndësishme të autostradave kryesore dhe duke bllokuar herë pas here pikat kufitare.

Sipas të dhënave, sektori bujqësor grek po përballet me një mungesë prej më shumë se 600 milionë eurosh në pagesa të Bashkimit Evropian dhe ndihma të tjera, ekuivalente me rreth 698.6 milionë dollarë.
Vonesat lidhen me hetimet për një skandal korrupsioni, në të cilin disa fermerë, me ndihmën e punonjësve shtetërorë, kanë falsifikuar dokumente mbi pronësinë e tokës për t’u kualifikuar për subvencione. Auditimet e vazhdueshme që pasuan këtë skandal kanë ngadalësuar procesin e shpërndarjes së fondeve.
Këto probleme janë përkeqësuar edhe më tej nga një shpërthim i lisë së deleve, i cili ka detyruar fermerët të asgjësojnë qindra mijëra dele dhe dhi, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike në sektorin blegtoral.

Fermerët nga rajoni bujqësor i Thesalisë, një nga zonat më të prekura të vendit, i drejtuan traktorët e tyre drejt qytetit të Volosit dhe i parkonin për disa orë jashtë portit. Rajoni i Thesalisë ishte goditur rëndë nga përmbytjet në vitin 2023, të cilat shkatërruan të mbjellat dhe blegtorinë. Policia ndërhyri duke bllokuar hyrjen në port për të parandaluar hyrjen e protestuesve në terminalet e pasagjerëve dhe të mallrave.
Në përpjekje për të kufizuar ndikimin e protestave në qarkullimin rrugor dhe sigurinë publike, një prokuror i Gjykatës së Lartë të Greqisë urdhëroi të martën autoritetet që të ndalojnë menjëherë fermerët që, sipas vlerësimit të tij, po rrezikojnë qëllimisht sigurinë e trafikut.

Megjithatë, fermerët kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen. “Ne nuk tërhiqemi. Nëse duan të arrestojnë mijëra njerëz që protestojnë, le të vijnë e të na arrestojnë,” i tha transmetuesit publik ERT Costas Sefis, një fermer nga qyteti verior i Malgarës. Ai shtoi se kompensimi për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë e vitit 2023 ka qenë i kufizuar dhe është vonuar ndjeshëm.
Qeveria e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, e cila ndodhet nën presion për shkak të skandalit të subvencioneve, ka deklaruar se është e hapur për dialog me fermerët dhe u ka bërë thirrje atyre të heqin bllokadat. Autoritetet kanë pranuar ekzistencën e vonesave në pagesa dhe kanë premtuar se fermerët do të marrin së shpejti mbështetje financiare shtesë.
Pavarësisht këtyre premtimeve, protestat vazhdojnë. Në veri të vendit, kamionë transporti formuan radhë të gjata në kufirin midis Greqisë dhe Bullgarisë mbrëmjen e së martës, pasi fermerët kufizuan në mënyrë periodike qarkullimin në pikën kufitare të Promachonasit, shkruan Reuters.
