Vendosni fjalën kyçe....

Tërmeti 7.5 ballë godet Japoninë verilindore, të paktën 30 të plagosur dhe mijëra të evakuuar



Të paktën 30 persona u plagosën pasi një tërmet me magnitudë 7.5 goditi Japoninë verilindore të hënën në mbrëmje, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, lëkundja ndodhi në orën 23:15 sipas kohës lokale (14:15 GMT), në një thellësi prej 50 km dhe rreth 80 km larg brigjeve të rajonit Aomori. Pas tërmetit u lëshuan paralajmërime për cunami, të cilat më vonë u hoqën, ndërsa u regjistruan dallgë deri në 70 cm.

Si pasojë e tërmetit, disa linja hekurudhore u pezulluan dhe mijëra banesa mbetën pa energji elektrike.

Autoritetet paralajmëruan se ditët në vijim mund të pasojnë lëkundje të tjera më të forta, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë për të paktën një javë.

Duke iu drejtuar banorëve të prekur, Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi tha:
“Rikontrolloni gatishmërinë ndaj tërmeteve në jetën e përditshme, si sigurimi i mobilieve dhe përgatitja për t’u evakuuar menjëherë sapo të ndieni lëkundje.”

Rreth 90,000 banorë u urdhëruan të evakuohen, raportoi BBC.

Qeveria rajonale e Aomori tha se rreth 2,700 shtëpi kanë mbetur pa energji. Kompania East Japan Railway ka pezulluar disa shërbime përgjatë bregdetit verilindor.

Qeveria qendrore ngriti një zyrë të posaçme reagimi brenda qendrës së menaxhimit të krizave të kryeministrit, ndërsa u mblodh një ekip emergjence, konfirmoi shefi i kabinetit Minoru Kihara.

“Po bëjmë çdo përpjekje për të vlerësuar dëmet dhe për të ndërmarrë masa emergjente, përfshirë operacionet e shpëtimit dhe ndihmës,” tha ai.

Sipas kompanisë Tohoku Electric Power, nuk janë raportuar parregullsi në centralet bërthamore Higashidori dhe Onagawa. Edhe autoritetet bërthamore japoneze njoftuan Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se nuk ka probleme në vendin e centralit të Çernobilit japonez, Fukushima, i dëmtuar rëndë nga tërmeti katastrofik i vitit 2011.

Japonia, e vendosur në “Unazën e Zjarrit”, regjistron rreth 1,500 tërmete në vit dhe konsiderohet një nga vendet më të ekspozuara ndaj aktivitetit sizmik në botë.

Më herët këtë vit, paneli japonez i monitorimit të tërmeteve paralajmëroi për një probabilitet 60–90% që një supertërmet të godasë zonën Nankai Trough në 30 vitet e ardhshme — një skenar që mund të shkaktojë dëme në triliona dollarë dhe potencialisht qindra mijëra viktima.

Tërmetet përgjatë Nankai Trough, një zonë e fuqishme aktiviteti sizmik përgjatë bregut të Paqësorit të Japonisë, ndër dekada kanë shkaktuar mijëra të vdekur.

Fotografitë nga zona tregojnë banesa të dëmtuara dhe flakë në disa shtëpi të rajonit Aomori, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën për vlerësimin dhe menaxhimin e situatës.