
Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka marrë pjesë sot në punimet e Asamblesë së PPE, ku ka zhvilluar edhe një takim të rëndësishëm me Kryetarin e Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Jens Spahn.
Në një postim në rrjetin “X”, Tabaku vlerësoi bashkëpunimin me Spahn dhe grupin parlamentar konservator gjerman, duke e cilësuar atë “një partneritet pa kushte” për Partinë Demokratike.
“Kënaqësi të takoja sot Jens Spahn, Kryetarin e Grupit Parlamentar të CDU/CSU. Diskutuam mbi situatën në Shqipëri, sfidat e demokracisë dhe rrugën tonë drejt BE-së. Mbështetja e CDU/CSU për PD-në dhe për një proces integrimi të bazuar në standarde, transparencë dhe reforma reale ka qenë pa kushte”, shkroi Tabaku.
Sipas saj, marrëdhënia me partnerët gjermanë është kyçe për të garantuar që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Europian mbi bazën e kritereve të Kopenhagës, forcimit të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit.
“Partneriteti me miqtë tanë gjermanë mbetet thelbësor për t’i ofruar vendit një të ardhme më të drejtë dhe më europiane”, theksoi deputetja demokrate.
Takimi Tabaku–Spahn vjen në një moment kur PD synon të forcojë koordinimin me PPE dhe Bundestagun për çështjet e integrimit, mbrojtjen e standardeve demokratike dhe adresimin e shqetësimeve për kapjen e institucioneve dhe mungesën e reformave thelbësore nga qeveria.