
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaë Sikorski, i është drejtuar Elon Musk-ut me një deklaratë provokuese, duke i thënë të “shkojë në Mars”, pas thirrjeve të miliarderit për shpërbërjen e Bashkimit Evropian.
Sikorski, i njohur si politikan neo-liberal dhe kritik i fortë i Rusisë, reagoi ndaj disa postimeve të Musk-ut në platformën X, në pronësi të vetë sipërmarrësit amerikan të teknologjisë. Musk kishte shkruar se Bashkimi Evropian duhet të shpërbëhet dhe se sovraniteti duhet t’u kthehet shteteve anëtare “në mënyrë që qeveritë të përfaqësojnë më mirë popujt e tyre”. Në një tjetër postim ai shtroi pyetjen: “Sa kohë i ka mbetur BE-së?”, duke përdorur hashtagun #AbolishTheEU.
Këto deklarata erdhën menjëherë pas një vendimi të Komisionit Evropian për të gjobitur platformën X me 120 milionë euro. Sipas Komisionit, platforma nuk kishte respektuar rregullat e transparencës në lidhje me reklamat dhe menaxhimin e llogarive të përdoruesve. Musk, nga ana e tij, ka kritikuar vazhdimisht politikat e BE-së, duke i përshkruar ato si tepër kufizuese dhe si një kërcënim për lirinë e shprehjes.
Në një reagim të bërë të dielën, Sikorski shkroi: “Shko në Mars. Atje nuk ka censurë për përshëndetjet naziste.”
Me këtë deklaratë, ministri polak dukej se i referohej një incidenti të ndodhur në janar 2025 gjatë paradës së përurimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Në atë ngjarje, Musk u pa duke bërë një gjest që ngjante me përshëndetjen romake – një shtrirje e krahut të djathtë me pëllëmbë të hapur – gjest i cili shpesh është krahasuar me përshëndetjen naziste. Kjo lloj përshëndetjeje është e ndaluar në disa vende.
Kritikët e Musk-ut, përfshirë aktivistë të të drejtave të njeriut, historianë dhe organizata hebraike të avokimit, e përshkruan gjestin si një “përshëndetje naziste” dhe e akuzuan sipërmarrësin për përhapjen e ideve anti-semite. Musk i mohoi këto akuza, duke i quajtur krahasimet me Adolf Hitlerin si një sulm politik të konsumuar dhe “të lodhshëm”.
Ndërkohë, Musk ka promovuar prej vitesh ambiciet e tij për eksplorimin dhe kolonizimin e hapësirës. Në vitin 2020, ai deklaroi se kompania e tij SpaceX planifikonte të dërgonte njerëzit e parë në Mars deri në vitin 2026 dhe se synimi afatgjatë ishte krijimi i një popullsie prej rreth një milion banorësh në Planetin e Kuq deri në vitin 2050. Presidenti Trump ka deklaruar gjithashtu se Musk kishte premtuar se do të dërgonte amerikanë në Mars përpara përfundimit të mandatit të tij presidencial, shkruan Rt.
Sulmet e Musk-ut ndaj Bashkimit Evropian u intensifikuan edhe më tej të dielën, në një veprim që u interpretua si sfidë ndaj kufizimeve të BE-së për lirinë e shprehjes dhe si jehonë ndaj referencës së mëparshme të Sikorskit për gjestin e supozuar nazist.
Musk reagoi me fjalët “Mjaft e saktë” ndaj një postimi në X me titullin “Rajhu i Katërt”, i cili paraqiste flamurin e Bashkimit Evropian duke u hequr për të zbuluar një svastikë naziste poshtë tij.