Vendosni fjalën kyçe....

Lituania shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të balonave nga Bjellorusia


Qeveria e Lituanisë shpalli të martën gjendjen e jashtëzakonshme dhe i kërkoi parlamentit autorizimin që ushtria të mbështesë policinë dhe rojet kufitare, pas një vale të përsëritur balonash kontrabande nga Bjellorusia që kanë ndërprerë trafikun ajror gjatë muajve të fundit.

Aeroporti i Vilniusit është mbyllur disa herë për shkak të këtyre balonave të motit, të cilat, sipas autoriteteve lituaneze, përdoren nga kontrabandistët për transportimin e cigareve dhe përbëjnë një “sulm hibrid” nga Bjellorusia, aleate e ngushtë e Rusisë, përcjell Reuters.

Ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratovic, gjatë mbledhjes së transmetuar drejtpërdrejt, tha se gjendja e jashtëzakonshme vendoset “jo vetëm për shkak të ndërprerjeve në aviacionin civil, por edhe për interesa të sigurisë kombëtare.”

Bjellorusia ka mohuar përgjegjësinë dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, përfshirë – sipas saj – dërgimin e një droni që ka hedhur “material ekstremist”, akuzë që Vilniusi e hedh poshtë.

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko u shpreh se Lituania po e ekzagjeron situatën dhe se Minsku “nuk kërkon konflikt me fqinjët.” Ai tha se akuzat për balonat janë “të pamundura dhe të politizuara.”

Qeveria kërkon kompetenca të zgjeruara për ushtrinë

Kabineti i qeverisë i kërkoi parlamentit që ushtria të marrë kompetenca të veçanta gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duke vepruar së bashku me policinë, rojet kufitare dhe shërbimet e sigurisë – madje edhe në mënyrë të pavarur nëse është e nevojshme.

Nëse miratohet, ushtria do të ketë të drejtë të:

kufizojë hyrjen në zona të caktuara,

ndalojë dhe kontrollojë automjete,

verifikojë dokumentet e qytetarëve dhe sendet e tyre,

ndalojë personat që dyshohen për kundërvajtje apo rezistencë.

Ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, theksoi se ushtria do të autorizohet të përdorë forcë për këto funksione. Masa do të qëndrojë në fuqi derisa qeveria të vendosë për heqjen e saj.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, më 1 dhjetor e konsideroi situatën si “sulm hibrid të plotësisht të papranueshëm” nga Bjellorusia.

 

Tensionet e përsëritura në kufi

Nuk është hera e parë që Lituania vendos gjendje të jashtëzakonshme në kufirin lindor. Në vitin 2021, vendi ndërmori masa të ngjashme për shkak të fluksit të migrantëve që sipas Vilniusit u dërguan qëllimisht nga Bjellorusia.

 Në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, u shpall një tjetër gjendje emergjence për arsye sigurie.

Tensionet e reja me balonat kontrabanduese po e rikthejnë debatin për sigurinë kufitare në një nga vendet më të ekspozuara ndaj presionit politik dhe hibrid nga Lindja.