
Ministri Blendi Gonxhja ka dhënë lajmin e mirë se Lahuta është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgjente mbrojtje.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën!
Postimi i plotë:
Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgente mbrojtje.
Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.
Ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë, kërkimor të udhëhequr nga grupi i studiuesve: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge.
Puna e tyre, së bashku me sesionet komunitare dhe kërkimet në terren, finalizoi një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, e dorëzuar në mars 2024.
Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në kuadër të marrëveshjes për përgatitjen e dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare.
Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën!