Vendosni fjalën kyçe....

Kalon për gjykim çështja ndaj Evis Berberit



Çështja penale ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, dhe të pandehurve të tjerë të akuzuar për abuzime me tenderat e ARRSH, ka kaluar për gjykim. Lajmi u konfirmua për BW nga gazetarja Klodiana Lala. Berberi përballet me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Në seancën e kaluar, Berberi ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe ka pretenduar pavlefshmëri të akteve, duke argumentuar se:

  • korrespondenca hetimore është fshirë,

  • të dhënat e nxjerra nga celularët nuk janë të përdorshme,

  • sekuestrimi i celularëve të tij është bërë vetëm me urdhër të prokurorit dhe jo me vendim gjykate, gjë që sipas tij bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në të njëjtën linjë, Valter Begaj, ish-ortak i Berberit, si edhe kompanitë DAAM shpk dhe Net Grup, kërkuan rikthimin e çështjes për hetime të mëtejshme. Begaj dha shpjegime të detajuara lidhur me pronësinë e DAAM, e cila sipas SPAK kontrollohej në mënyrë të tërthortë nga Berberi, ndërsa fitonte tendera nga institucione që ai vetë drejtonte.

Bazuar në të dhënat e zbuluara nga celularët e sekuestruar në banesën e Berberit, SPAK ka hapur disa dosje të tjera hetimore. Ndër këto zhvillime është ngritur akuzë për shkelje të barazisë në tendera edhe ndaj zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në lidhje me:

  • tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë,

  • tenderin Loti 4 të Unazës së Madhe.

Belinda Balluku vijon të mbetet e pezulluar nga ushtrimi i funksioneve, me vendim të Gjykatës së Posaçme, si edhe me ndalim të daljes jashtë vendit. Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi kërkesën e kryeministrit Edi Rama, i cili kundërshton pezullimin e numrit dy të qeverisë.

Ndërkohë, Apeli i Posaçëm pritet të caktojë datën e shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga Balluku dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të cilët aktualisht ndodhen nën masën e arrestit në shtëpi.