
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur sot një deklaratë për mediat nga selia blu, ku ka sulmuar ashpër iniciativën e qeverisë për Paqen Fiskale, duke e cilësuar atë si një skemë lehtësimi për paratë e paligjshme.
Berisha e quajti nismën “një amnisti për pastrimin e parave të drogës”, që sipas tij u vjen në ndihmë karteleve shqiptare të narkotikëve dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
Në fjalën e tij, ai deklaroi:
“Edi Rama, zëdhënës kryesor në Europë i karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me të ashtuquajturën Paqe Fiskale, ka sanksionuar amnistinë për paratë e drogës, krimit, jo vetëm të karteleve të fuqishme shqiptare të kokainës dhe kanabisit, por edhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.”
Sipas tij, iniciativa është kundërshtuar fuqimisht më herët nga qeveria e SHBA-së, Bashkimi Europian, si dhe vende të tjera partnere, por pavarësisht kësaj, mazhoranca e ka votuar atë “në parim” në Kuvend.
Berisha shtoi më tej:
“Ky akt është mbështetja publike më e fuqishme që Ramaduro, shefi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, u bën karteleve shqiptare të drogës dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.”
Ai tha se PD dhe deputetët e saj kanë mbajtur një qëndrim të prerë kundër nismës, duke propozuar amendamente që, sipas tij, janë injoruar nga mazhoranca.
Berisha e përmbylli deklaratën duke theksuar se për Partinë Demokratike, ky ligj:
Hap rrugën për pastrimin e parave të klaneve të krimit,
Nxit evazionin fiskal,
Lehtëson shmangien nga detyrimet tatimore për bizneset.
Debati politik mbi Paqen Fiskale pritet të vijojë me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.