
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen Balluku.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Rama është “i zbuluar” dhe se ministrja Belinda Balluku e ka kërcënuar se “do ta marrë me vete”.
Berisha dënoi gjithashtu deklaratat e Ramës ndaj sistemit gjyqësor, duke i cilësuar si ndërhyrje të rënda dhe të papranueshme.
Sipas tij, mënyra se si po trajtohet çështja e 50 milionë eurove të projektit të Llogarasë po shoqërohet me presion të vazhdueshëm ndaj Kushtetueses:
“Dënoj me forcë presionin e jashtëzakonshëm dhe të padëgjuar më parë që po ushtrohet mbi Gjykatën Kushtetuese. Po përdoren metoda joligjore për të diktuar vendimin në çështjen e Edi Ramës, i cili kërkon të bllokojë luftën kundër korrupsionit për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun nga vjedhja e 50 milionë eurove”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese se lejoi hapësirë për ushtrimin e presionit politik, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë publikisht.
Ai paralajmëroi se çdo përpjekje e Ramës për t’u mbrojtur përmes institucioneve të drejtësisë “do të ketë pasoja”, duke shtuar se sipas tij, kryeministri ka humbur çdo mbrojtje politike dhe institucionale.
Berisha tha se Rama ka cituar gabimisht Komisionin e Venecias dhe se, sipas tij, “reaksionet që ka marrë e kanë detyruar të mos e përmendë më”.
Në fund, ai tha se reagimin e Gjykatës së Gjyqtarëve e konsideron një sinjal të rëndësishëm ndaj presionit politik mbi drejtësinë