
Një situatë alarmante mjedisore është regjistruar në brigjet e Adriatikut, ku plazhet pranë grykëderdhjes së lumit Shkumbin janë tejmbushur me mbetje plastike, metalike dhe materiale bimore. Fenomeni prek veçanërisht plazhin e Divjakës dhe zonën e Vilë-Boshtovës në bashkinë e Rrogozhinës.
Ekspertët shprehen se sasia e madhe e mbetjeve është rezultat i viteve të akumulimit përgjatë rrjedhës së Shkumbinit, nga Përrenjasi, Librazhdi, Elbasani, Cërriku, Peqini deri në Rrogozhinë. Peshkatarët vendas deklarojnë se një ndotje kaq masive nuk është parë për dekada.
“Kaq shumë mbetje të ardhura nga lumi nuk kemi parë kurrë. Situata është jashtë kontrollit,” thotë një peshkatar nga Vilë-Boshtova.
Situata shqetësuese vërehet edhe në Divjakë, ku shtresat e mbetjeve përzihen me leshterik, drurë dhe plastikë, duke arritur deri në 1.5 metra trashësi. Vizitorët e Parkut Kombëtar Divjakë–Karavasta shprehen të mahnitur nga natyra, por të zhgënjyer nga ndotja.
Shoqatat mjedisore paralajmërojnë se situata përbën një katastrofë ekologjike që nuk mund të zgjidhet vetëm me vullnetarizëm. Shkëlqim Bylykbashi, kreu i shoqatës Horizont EU, dhe Altin Hila, drejtues i Monark, theksojnë se ndërhyrja duhet të nisë në burimin e ndotjes, përgjatë gjithë rrjedhës së Shkumbinit, për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla.
Autoritetet lokale dhe organizatat mjedisore kërkojnë një plan emergjent të koordinuar për të menaxhuar krizën dhe për të mbrojtur ekosistemin e Adriatikut.