
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritej të shpallte një paketë ndihme financiare prej 12 miliardë dollarësh për fermerët amerikanë, të cilët janë prekur negativisht nga lufta tregtare e shkaktuar nga politikat e administratës së tij, deklaroi të hënën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Sipas këtij zyrtari, njoftimi ishte planifikuar të bëhej gjatë një tryeze të rrumbullakët në Shtëpinë e Bardhë, e cila do të mbahej në orën 14:00 sipas kohës lokale (19:00 GMT).
Fermerët në SHBA janë përballur këtë vit me prodhime rekord, por njëkohësisht kaë pësuar humbje prej miliarda dollarësh, veçanërisht në eksportet e sojës drejt Kinës. Këto humbje erdhën pasi Kina, në kuadër të negociatave tregtare të ngecura, u drejtua nga furnizues alternativë në Amerikën e Jugut gjatë muajve të vjeshtës.
Më herët ishte bërë e ditur se administrata amerikane po shqyrtonte një paketë ndihme për sektorin bujqësor që mund të arrinte deri në 15 miliardë dollarë, me njoftimin fillestar të parashikuar për në tetor. Sekretari i Bujqësisë, Brooke Rollins, kishte shpjeguar se mbyllja 43-ditore e qeverisë federale kishte vonuar publikimin e planit.
Agjencia Bloomberg News, e cila raportoi e para për shumën prej 12 miliardë dollarësh, bëri të ditur se në aktivitetin e Shtëpisë së Bardhë pritej të merrnin pjesë fermerë dhe blegtorë nga sektorë të ndryshëm bujqësorë, duke përfshirë prodhues të drithërave, sojës, pambukut dhe patateve, shkruan Reuters.