Vendosni fjalën kyçe....

Tajlanda kryen sulme ajrore në kufirin me Kamboxhian pas përleshjeve të reja



Ushtria e Tajlandës kreu sulme ajrore të hënën në mëngjes përgjatë kufirit të diskutueshëm me Kamboxhian, pasi të dy vendet akuzuan njëri-tjetrin për nisjen e përshkallëzimit të ri të dhunës, përcjell DW.

Sipas Ushtrisë Mbretërore Tajlandeze, trupat kamboxhiane sulmuan efektivët tajlandezë në provincën Sisaket më 7 dhjetor. Në një postim në rrjetet sociale, ushtria tha se një tjetër përplasje ndodhi këtë mëngjes në provincën Ubon Ratchathani, e cila çoi në përdorimin e sulmeve ajrore.

“Trupat kamboxhiane hapën zjarr me armë të lehta dhe me hedhës raketash rreth orës 05:05 të mëngjesit, deri në këto momente. Pala tajlandeze u kundërpërgjigj sipas rregullave të angazhimit me armë të lehta dhe hedhës raketash,” deklaroi zëdhënësi i ushtrisë, Winthai Suvaree.

Më vonë gjatë mëngjesit, ushtria tajlandeze njoftoi se kishte marrë raportime për një tjetër sulm ndaj trupave të saj me “armë mbështetëse zjarri”, ku mbeti i vrarë një ushtarak dhe u plagosën katër të tjerë.

“Pala tajlandeze ka nisur përdorimin e avionëve për të goditur objektiva ushtarake në disa zona, me qëllim neutralizimin e sulmeve nga armët mbështetëse të trupave kamboxhiane,” tha Suvaree.

Ushtria shtoi se ka dislokuar njësi shtesë për të ndihmuar në evakuimin e banorëve të zonës.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, Maly Socheata, akuzoi Tajlandën për nisjen e një sulmi ndaj trupave kamboxhiane në provincat kufitare Preah Vihear dhe Oddar Meanchey, duke theksuar se Kamboxhia nuk ishte kundërpërgjigjur.

“Kamboxhia i bën thirrje Tajlandës të ndalojë menjëherë të gjitha veprimet armiqësore që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon,” u shpreh ajo.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, bëri thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke ndarë në rrjete sociale edhe një foto të liderëve tajlandezë dhe kamboxhianë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje paqeje në tetor.

“Malajzia është e gatshme të mbështesë hapa që rikthejnë qetësinë dhe shmangin përshkallëzimin. Rajoni ynë nuk mund të lejojë që mosmarrëveshjet e vjetra të kthehen në cikle konfrontimi,” shkroi Ibrahim.

Përplasjet e fundit lidhen me një konflikt të kahershëm mes Tajlandës dhe Kamboxhias.

Dy vendet ndajnë një kufi prej rreth 800 kilometrash, që kalon në zona të pabanuara dhe ku ndodhen disa tempuj të lashtë që të dy shtetet pretendojnë si pronë të tyre.

Ndër ta është edhe tempulli historik Preah Vihear, një vend hindu 1.000-vjeçar i ndërtuar nga Perandoria Khmer.

Megjithëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 1962 vendosi se tempulli ndodhet në territorin kamboxhian, pretendimet kundërshtuese lidhen me një hartë të vitit 1907, të hartuar gjatë periudhës koloniale franceze. Tajlanda ka argumentuar se kjo hartë është e pasaktë.

Kjo mosmarrëveshje u përshkallëzua në një luftë pesë-ditore në korrik, e cila detyroi qindra civilë të largoheshin nga të dy anët e kufirit.

Një armëpushim u arrit përmes ndërmjetësimit të presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim.

Megjithatë, armëpushimi u prish në mesin e nëntorit, pasi Tajlanda akuzoi Kamboxhian për vendosje të re minash tokësore në zonë.