
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe ministren e pezulluar Belinda Balluku, duke i cilësuar si “dyshen më monstruoze të grabitjeve që ka njohur ndonjëherë Shqipëria”. Deklaratat Berisha i bëri gjatë ceremonisë në nder të Azem Hajdarit dhe Lëvizjes së Dhjetorit, ku akuzoi qeverinë për vendosjen e një regjimi kleptokratik dhe përpjekje të vazhdueshme për të eliminuar opozitën.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se kryeministri Rama “bëri çdo përpjekje për një Shqipëri pa opozitë” dhe se, sipas tij, qeveria ka shkatërruar idealet e dhjetorit. Ai akuzoi Ramën dhe Ballukun për vjedhje masive të pasurive kombëtare, duke e cilësuar këtë periudhë si më të errëtën në historinë e pas ’90-ës.
Sipas Berishës, në 10 vitet e qeverisjes së Ramës, vendi është goditur nga korrupsioni, kapja e institucioneve dhe largimi masiv i të rinjve. Ai tha se mbi 700 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin, duke e quajtur këtë një pasojë të drejtpërdrejtë të politikave të qeverisë.
Gjatë fjalimit, Berisha theksoi se shpresa e vetme për të “përmbysur narkoregjimin” është rinia shqiptare, veçanërisht gjenerata Z, të cilën ai e vlerësoi si forcë ndryshimi që ka treguar ndikim në vende të tjera të botës.
Ceremonia u zhvillua në kujtim të figurës së Azem Hajdarit dhe rolit të tij në lëvizjen demokratike që rrëzoi diktaturën komuniste në Shqipëri.