
Hamas ka rikthyer shpejt kontrollin në pjesë të Gazës pas tërheqjes së ushtrisë izraelite në tetor dhe ka rindërtuar një pjesë të madhe të fuqisë së tij operacionale, raporton New York Times, duke cituar zyrtarë izraelitë të sigurisë dhe një zyrtar të lartë të inteligjencës arabe, përcjell Ynet
Sipas biznesmenëve lokalë, policia e Hamasit është rikthyer në rrugë, operativët e armatosur kanë kryer ekzekutime të rivalëve, ndërsa drejtuesit e grupit po vendosin tarifa mbi mallra të vlefshme që hyjnë në territor.
“Hamas u godit rëndë, por nuk u mund,” tha Shalom Ben Hanan, ish-zyrtar i lartë i Shin Bet. “Është ende në këmbë.”
Raporti thotë se grupi ka riorganizuar komandantë të rinj, po rindërton rrjetet e tij të tuneleve dhe vazhdon të kontrollojë institucionet kryesore të qeverisjes në Gaza. Sipas vlerësimeve, Hamas ende ka rreth 20 mijë luftëtarë aktivë.
Kjo situatë përbën sfidë të madhe për planin amerikan për rindërtimin e Gazës, i cili parashikon një territor të çmilitarizuar dhe çmontimin e plotë të infrastrukturës së Hamasit. Zyrtarët i thanë NYT se grupi ka bazë të mjaftueshme për t’u rikthyer.
Banorët cituar nga gazeta thanë se njësi të Hamasit po vendosin pika kontrolli, ndalojnë qytetarë dhe përpiqen të parandalojnë plaçkitjen, duke dhënë mesazhin se janë ende forca kryesore e sigurisë.
“Mund ta ndjesh praninë e tyre, por duken më të dobët se më parë,” tha Nidal Kuhail, banor i qytetit të Gazës.
Ndërkohë, zyrtari i Hamasit, Husam Badran, tha se grupi është i gatshëm të lejojë një komitet teknokratësh palestinezë të administrojë Gazën, por paralajmëroi se largimi i plotë i strukturave të sigurisë do të sillte “kaos”.
Ai tha se policia po vepron për të “ruajtur sigurinë dhe stabilitetin”.
Raporti përmend gjithashtu ekzekutime publike të rivalëve dhe mbledhjen e parave nga mallrat me vlerë të lartë që hyjnë në Gaza. Zyrtari i qeverisë së Hamasit, Ismail Thawabteh, mohoi ekzistencën e taksave të tilla.
Megjithë rimëkëmbjen, Hamasi sot kontrollon vetëm gjysmën e territorit që mbante para 7 tetorit 2023. Shumica e zonave që mban janë të shkatërruara dhe financimi i tij është reduktuar ndjeshëm.
Presioni ndërkombëtar mbi grupin që të dorëzojë armët është rritur. Plani amerikan parashikon një forcë ndërkombëtare stabilizimi dhe çarmatim të plotë të Hamasit. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka qenë i prerë.
“Kjo zonë do të çmilitarizohet dhe Hamas do të çarmatosej, me të mirë ose me të keq.”
Badran tha se Hamasi është i gatshëm të diskutojë çështjen e armëve vetëm nëse bisedimet janë “serioze” dhe lidhen me një tërheqje të plotë izraelite, ndalimin e çdo operacioni ushtarak dhe krijimin e një shteti palestinez.
Ai tha se dorëzimi i të gjitha armëve “pa garanci politike” do të ishte “i pakuptimtë”.
Analistët palestinezë të cituar thonë se një armëpushim afatgjatë mund të jetë i mundur, por dorëzimi i plotë i armëve nuk është realist.
Sipas ndërmjetësve arabë, Hamasi mund të pranojë të dorëzojë një pjesë të armëve nëse administrata Trump garanton ndalimin e rikthimit të luftës. Izraeli, ndërkohë, nuk pranon çmontim të pjesshëm të grupit.