
Shtëpia e Bardhë ka mohuar raportimet se Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.
Mohimi vjen pas një raporti të publikuar nga MS Now, sipas të cilit një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte deklaruar se Noem ndodhej “në fije të perit”. Raporti pretendonte se Trump kishte filluar të shqyrtonte largimin e saj që në muajin janar dhe se zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, po udhëhiqte përpjekjet për ta nxjerrë atë nga detyra.
Në reagim, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, i quajti këto pretendime të pavërteta. “Gjithçka rreth kësaj është ‘Fake Neës’. Sekretarja Noem po bën një punë të shkëlqyer në zbatimin e agjendës së presidentit dhe në rikthimin e sigurisë në Amerikë. MS Noë vazhdon të diskreditojë veten duke shpikur narrativa që thjesht nuk janë të vërteta,” tha Jackson në një deklaratë.
Edhe Ndihmës Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Tricia McLaughlin, reagoi ndaj raportit në një deklaratë për Fox News.
“Nuk mund të flas në emër të Presidentit, por kam parë raportime më të besueshme në përralla,” u shpreh ajo, duke hedhur dyshime mbi seriozitetin e artikullit.
Sipas MS Now, disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë shprehur pakënaqësi lidhur me ritmin e zgjerimit të qendrave të paraburgimit nën drejtimin e Noem. Raporti pretendon gjithashtu se disa guvernatorë kanë kritikuar reagimin federal ndaj fatkeqësive natyrore që kanë prekur shtetet e tyre.
Zyrtarë anonimë të cituar në artikull pohojnë se guvernatori në largim i Virxhinias, Glenn Youngkin, shihet si një kandidat kryesor për të zëvendësuar Noem, nëse ajo do të largohej nga posti.
Raporti u publikua rreth një javë pasi Noem mbështeti publikisht thirrjen e Presidentit Trump për vendosjen e ndalesave të gjera të udhëtimit, të cilat pritet të prekin më shumë se 30 vende.
“Nuk do të jem specifike për numrin, por është mbi 30. Presidenti po vazhdon të vlerësojë vendet,” i tha Noem Fox News javën e kaluar.
Ajo shtoi se kishte zhvilluar një takim me Presidentin Trump dhe se kishte rekomanduar ndalim të plotë udhëtimi për vendet që, sipas saj, përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e SHBA-së.
“Sapo u takova me Presidentin. Po rekomandoj një ndalim të plotë të udhëtimit për çdo vend që ka përmbytur kombin tonë me vrasës, shushunja dhe individë të varur nga përfitimet,” tha Noem.
Në deklarata të mëtejshme, ajo kritikoi ashpër disa emigrantë, duke i përshkruar si rrezik për sigurinë publike dhe duke i akuzuar se po shterojnë burimet e destinuara për qytetarët amerikanë.
“Paraardhësit tanë e ndërtuan këtë komb me gjak, djersë dhe përkushtim të palëkundur ndaj lirisë – por jo që pushtues të huaj të masakrojnë heronjtë tanë, të zhvasin dollarët e taksave të fituara me mund dhe të përfitojnë nga ndihmat që u takojnë amerikanëve,” deklaroi Noem.