
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për mungesë totale transparence ndaj qytetarëve pas njoftimeve për ngritjen e 28 qendrave të reja të pritjes për emigrantët në vend.
Sipas tij, ky projekt përbën rrezik të shumëfishtë, si për vetë emigrantët ashtu edhe për interesat kombëtare.
Berisha tha se qendrat e pritjes krijojnë kushte për dorëzimin e emigrantëve tek grupet kriminale, duke theksuar se kjo situatë ndodh pa asnjë informacion zyrtar për publikun.
“Nuk është bërë asnjë transparencë për këto qendra, por ajo që dua të them është se shndërrimi i Shqipërisë në autostradë emigrantësh është një barbari mbi emigracionin në radhë të parë” – tha ai.
Duke vijuar akuzat, ai deklaroi se procesi rrezikon të dorëzojë persona të pambrojtur në duart e rrjeteve kriminale.
“Është dorëzim i atyre qenieve në kthetrat e mafias më të pashpirt në Europë. Mafie që sundon policinë, drejtësinë, sundon kudo dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse të përfitojë prej qenieve mjerane” – u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi gjithashtu se projekti mund të shërbejë për të zëvendësuar popullsinë shqiptare që largohet çdo vit, duke e cilësuar këtë si rrezik të rëndë demografik.
“Nëse Edi Rama synon të zëvendësojë shqiptarët që ikin dhe të denatyrojë kombin në një mënyrë të paimagjinueshme, kjo është një rrezik ekzistencial për Shqipërinë” – theksoi ai.
Berisha njoftoi se PD do të paraqesë në Parlament elementët kryesorë të platformës së saj për ripopullimin e vendit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente financiare për të frenuar rënien demografike.
“Nëse nuk bëhen hapat e parë, ne po ecim drejt një humnere kombëtare. Edhe nëse fillohet këtë vit, do të duhen 30 deri në 50 vite për t’u kthyer aty ku ishim në vitin 2013” – tha ai.
Ai shtoi se niveli i lindshmërisë është tashmë në pikën më të ulët sipas të dhënave të INSTAT dhe OKB-së.
“Lindshmëria sot është aq sa ishte 100 vite më parë. OKB thotë se është treguesi më i ulët në botë për shkak të emigracionit” – deklaroi Berisha.