
Revista shkencore Regulatory Toxicology and Pharmacology ka vendosur të tërheqë zyrtarisht një studim të gjerë shkencor të botuar në vitin 2000, i cili për shumë vite u përdor si një mbështetje kyçe për pretendimet e kompanisë Monsanto se herbicidi Roundup dhe përbërësi i tij aktiv, glifosati, nuk shkaktojnë kancer.
Martin van den Berg, kryeredaktor i revistës, shpjegoi në një shënim shoqërues se vendimi për tërheqjen e studimit u mor për shkak të “shqetësimeve serioze etike që lidhen me pavarësinë dhe llogaridhënien e autorëve, si dhe me integritetin akademik të studimeve të kancerogjenitetit të paraqitura në artikull”.
Punimi, me titull Safety Evaluation and Risk Assessment of the Herbicide Roundup and Its Active Ingredient, Glyphosate, for Humans, kishte dalë në përfundimin se produktet me bazë glifosati të Monsantos nuk paraqisnin rreziqe për shëndetin e njeriut, duke përjashtuar rrezikun e kancerit, efektet negative në riprodhim, apo ndikime në zhvillimin e sistemit endokrin tek njerëzit dhe kafshët.
Ky studim është cituar prej vitesh nga autoritete rregullatore në vende të ndryshme si provë për sigurinë e herbicideve me glifosat, përfshirë edhe Agjencinë Amerikane të Mbrojtjes së Mjedisit (EPA), e cila e përfshiu atë në vlerësimet e saj.
Ndikimi i Monsantos i zbuluar nga dokumente të brendshme
Autorët e studimit, Gary Williams, Robert Kroes dhe Ian Munro, nuk ishin punonjës të Monsantos dhe paraqiteshin si shkencëtarë të pavarur, fakt që i dha studimit një peshë të madhe në mbrojtje të kompanisë ndaj studimeve të tjera që lidhin Roundup-in me rrezikun e kancerit.
Megjithatë, gjatë viteve të fundit, dokumente të brendshme të kompanisë, të zbuluara gjatë proceseve gjyqësore në SHBA nga persona të prekur nga kanceri, hodhën dritë mbi përfshirjen dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të Monsantos në hartimin e studimit. Disa prej këtyre dokumenteve përfshinin email-e të zyrtarëve të kompanisë që diskutonin punimin dhe vlerësonin “punën e palodhur” të shkencëtarëve të Monsantos si pjesë e një strategjie të brendshme të quajtur “Liria për të Vepruar” (FTO).
Dosjet korporative treguan gjithashtu se drejtues të Monsantos e festuan botimin e studimit si një sukses strategjik. Në një email të prillit 2000, Lisa Drake, atëkohë zyrtare e çështjeve qeveritare të Monsantos, përshkroi angazhimin e punonjësve të kompanisë në zhvillimin e punimeve “të pavarura” kërkimore.
“Botimi nga ekspertë të pavarur i vlerësimit shkencor më gjithëpërfshirës dhe të detajuar të shkruar ndonjëherë për glifosatin ishte rezultat i këmbënguljes, punës së palodhur dhe përkushtimit të grupit të mëposhtëm”, shkruante Drake, duke listuar më pas shtatë punonjës të Monsantos. Ajo theksonte se ata kishin kontribuar për tre vite me radhë në mbledhjen e të dhënave, shkrimin, rishikimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve me autorët e artikullit.
Drake shpjegonte gjithashtu rëndësinë strategjike të studimit për biznesin e Monsantos, duke theksuar se ai do të shërbente si referencë kryesore për sigurinë e Roundup-it dhe glifosatit në mbrojtjen e produkteve të kompanisë dhe diferencimin nga konkurrentët gjenerikë.
Në një tjetër komunikim të brendshëm, një drejtues sugjeronte edhe dhënien e dhuratave për pjesëmarrësit në punë, si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre.
Në vitin 2015, shkencëtari i Monsantos William Heydens sugjeroi në një email se kompania mund të “shkruante fantazmë” një tjetër punim shkencor, duke paguar studiues të jashtëm për të redaktuar dhe firmosur punën që do të realizohej nga Monsanto. “Kujto se kështu e trajtuam Williams, Kroes dhe Munro në vitin 2000”, shkruante ai.
Këto email-e u përdorën si prova në gjyqet me juri në SHBA, ku paditës të sëmurë nga kanceri fituan dëmshpërblime prej miliardash dollarësh kundër Monsantos, kompani që u ble nga Bayer AG në vitin 2018.
Arsyetimi i tërheqjes dhe reagimet
Në shpjegimin e tij për tërheqjen e studimit pas 25 vitesh, Van den Berg theksoi se shqetësimet kishin të bënin me autorësinë, vlefshmërinë e gjetjeve shkencore, interpretimin e njëanshëm të kontributeve dhe konfliktet e mundshme të interesit. Ai shtoi se përfundimet mbi kancerogjenitetin e glifosatit mbështeteshin vetëm në studime të pabotuara të Monsantos, duke anashkaluar kërkime të tjera të pavarura dhe të publikuara.
Nga ana e saj, Bayer deklaroi se përfshirja e Monsantos ishte përmendur në seksionin e falënderimeve të studimit, përfshirë referencat ndaj personelit që ofroi mbështetje shkencore. Kompania shtoi se konsensusi i autoriteteve rregullatore ndërkombëtare mbetet se glifosati është i sigurt dhe jo kancerogjen.
Një zëdhënës i EPA-s bëri të ditur se agjencia ishte e informuar për tërheqjen, por se nuk ishte mbështetur kurrë në këtë studim specifik për vlerësimet e saj rregullatore mbi glifosatin. Sipas EPA-s, agjencia ka rishikuar mbi 6,000 studime dhe vlerësimi i ri i rrezikut për shëndetin njerëzor, që pritet të publikohet për konsultim në vitin 2026, nuk do të përfshijë artikullin e tërhequr.
Ndërkohë, avokati Brent Ëisner, një nga përfaqësuesit kryesorë në proceset gjyqësore për Roundup-in, e cilësoi studimin Ëilliams-Kroes-Munro si një shembull tipik se si kompani të mëdha mund të minojnë procesin e rishikimit shkencor përmes shkrimit fantazmë, përzgjedhjes selektive të të dhënave dhe interpretimeve të njëanshme.
Lajmi për tërheqjen e studimit u publikua në të njëjtën javë kur administrata Trump i kërkoi Gjykatës Supreme të SHBA-së të shqyrtonte kërkesën e Bayer për të kufizuar mijëra padi që pretendojnë se përdorimi i Roundup-it ka shkaktuar kancer, përfshirë limfomën non-Hodgkin dhe forma të tjera të sëmundjes.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian