Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë e SHBA pranon të shqyrtojë çështjen që sfidon të drejtën e shtetësisë me lindje


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka rënë dakord të shqyrtojë një çështje që lidhet me pyetjen nëse disa fëmijë të lindur në SHBA kanë të drejtë kushtetuese për shtetësi.

Në ditën e tij të parë në detyrë, në janar, Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund shtetësisë me lindje për ata që lindin nga prindër që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme, por masa u bllokua nga disa gjykata më të ulëta.

Ende nuk është caktuar një datë për seancat në Gjykatën e Lartë, dhe vendimi pritet pas disa muajsh, përcjell BBC.

Çfarëdo që të vendosë gjykata mund të ketë pasoja të mëdha për fushatën e Trump për shtrëngimin e politikave të imigracionit dhe për vetë përkufizimin e asaj se çfarë do të thotë të jesh qytetar amerikan.

Prej gati 160 vitesh, Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA ka përcaktuar parimin se kushdo që lind në vend është shtetas amerikan, me përjashtime për fëmijët e diplomatëve dhe të forcave të huaja ushtarake.

Formulimi i amendamentit thotë: “All persons born or naturalized in the United States, and subject to the jurisdiction thereof, are citizens of the United States.”

Urdhri ekzekutiv i Trump synon t’ua mohojë shtetësinë fëmijëve të personave që janë në SHBA në mënyrë të paligjshme ose që ndodhen aty me viza të përkohshme.

Ai është pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës për të reformuar sistemin e imigracionit dhe për të luftuar atë që e ka cilësuar si “kërcënime të rëndësishme ndaj sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike”.

Administrata ka argumentuar se fraza “subject to the jurisdiction thereof” nënkupton se amendamenti përjashton fëmijët e personave që nuk janë në vend në mënyrë të përhershme apo të ligjshme.

Cecillia Wang, drejtoreshë juridike kombëtare e ACLU-së, e cila përfaqëson paditësit, tha për CBS se asnjë president nuk mund ta ndryshojë premtimin themelor të Amendamentit të 14-të për shtetësinë.

“Për mbi 150 vjet, ka qenë ligj dhe traditë kombëtare që çdo person i lindur në tokën amerikane është shtetas që në lindje,” tha ajo në një deklaratë.

“Ne presim ta mbyllim këtë çështje njëherë e mirë në Gjykatën e Lartë këtë sesion,” shtoi ajo.

SHBA është një nga rreth 30 vendet, kryesisht në Amerikë, që u japin shtetësi automatike të gjithë personave të lindur brenda kufijve të tyre.

Pas sfidave ligjore ndaj urdhrit të Trump, disa gjykatës federalë vendosën se ai binte ndesh me Kushtetutën, ndërsa dy gjykata të apelit lanë në fuqi urdhërat për ta bllokuar hyrjen e tij në fuqi.

Trump iu drejtua Gjykatës së Lartë për të rrëzuar këto bllokime. Në një fitore procedurale për të, gjykata vendosi në qershor se urdhërat e mëparshëm të gjykatave të ulëta kishin kaluar autoritetin e tyre, megjithatë nuk u mor me çështjen e shtetësisë me lindje.

Amendamenti i 14-të u miratua pas Luftës Civile Amerikane për të zgjidhur çështjen e shtetësisë së skllevërve të çliruar, të lindur në SHBA.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, D. John Sauer, ka argumentuar se amendamenti u miratua “për t’u dhënë shtetësinë skllevërve të liruar dhe fëmijëve të tyre, jo fëmijëve të të huajve që vizitonin përkohësisht SHBA-në apo të të huajve të paligjshëm.”

Ai ka thënë se është një “pikëpamje e gabuar” ajo se lindja në tokën amerikane jep automatikisht shtetësi, duke argumentuar se kjo ka sjellë “pasoja shkatërruese”.