
Sri Lanka vijon të përballet me pasoja të rënda pas ciklonit Ditwah, ndërsa paralajmërimet për rrëshqitje dherash mbeten ende aktive dhe numri i viktimave është rritur në 607. Sipas Qendrës së Menaxhimit të Fatkeqësive, 214 persona rezultojnë ende të zhdukur, shumë prej të cilëve tashmë konsiderohen të vdekur, përcjell DW.
Përmbytjet kanë dëmtuar mbi 5,000 banesa dhe kanë shkatërruar mijëra hektarë tokë bujqësore. Organizata Kombëtare e Kërkimeve të Ndërtimit (NBRO) paralajmëroi të premten se reshjet e 24 orëve të fundit kanë kaluar 150 mm, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve në zonat malore.
“Nëse shirat vazhdojnë, banorët duhet të evakuohen menjëherë në një vend të sigurt,” njoftoi NBRO.
Presidenti Anura Kumara Dissanayake e ka cilësuar ciklonin dhe pasojat e tij si “fatkeqësinë kombëtare më sfiduese” për vendin në dekada.
Mijëra trupa të ushtrisë janë angazhuar për pastrimin e zonave të prekura, ndërsa dëmet ekonomike llogariten të jenë mes 6 dhe 7 miliardë dollarë. Qeveria ka bërë thirrje për donacione, por presidenti ka premtuar gjithashtu kompensime të konsiderueshme për familjet e prekura, për rindërtimin e shtëpive dhe rivendosjen e jetesës së tyre.
Cikloni Ditwah nuk ka goditur vetëm Sri Lankën. Përmbytjet në rajon kanë shkaktuar mbi 1,500 viktima:
Indonezia: rreth 900 të vdekur
Tajlanda: 185 të vdekur të konfirmuar
Malajzia: 3 viktima të konfirmuara
Presidenti Dissanayake ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar shtyrjen e këstit të gjashtë të kredisë 2.9 miliardë dollarëshe, me synimin për të negociuar një shumë më të madhe.
FMN konfirmoi se Sri Lanka ka kërkuar rreth 200 milionë dollarë shtesë për përballimin e dëmeve. Kjo kërkesë është aktualisht në shqyrtim.
“FMN mbetet e angazhuar të mbështesë Sri Lankën në këtë periudhë sfiduese, duke ndihmuar në rimëkëmbjen dhe forcimin e qëndrueshmërisë,” deklaroi Evan Papageorgiou, Shefi i Misionit të FMN-së për Sri Lankën.