
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, se Shqipëria dëshmoi me strehimin e afganëve se madhësia e shpirtit nuk lidhet me përmasat gjeografike apo ekonomike të një vendi.
Gjatë ceremonisë së 10-vjetorit të nismës vullnetare “Fundjavë Ndryshe”, Rama tha se vendi ynë i hapi dyert afganëve “kur të tjerët i mbyllën”.
“Bamirësia nuk është një gjest, as një ngjarje. Është disiplinë”, u shpreh ai, duke shtuar se bujaria e vërtetë nuk lidhet me dhënien e asaj që tepron, por me gatishmërinë për t’u hapur ndaj tjetrit.
Rama përmendi ndër sfidat më të mëdha të viteve të fundit strehimin e qytetarëve afganë pas tërheqjes së SHBA-së dhe NATO-s nga Afganistani.
Ai theksoi se Shqipëria ishte i vetmi vend që hapi dyert kur shumë shtete të tjera hezituan.
“Ishte një moment kur Amerika i la pas… dhe përnjëherë gjithçka mbaroi për ta. Aty pashë një Amerikë tjetër dhe kuptova forcën e jashtëzakonshme të atij vendi, kur njerëz nga më të ndryshmit u bashkuan dhe kërkonin ndihmë nga Shqipëria”, tha Rama.
Ai shtoi se afganët shpesh “ishin shumë myslimanë për të qenë të mirëpritur në disa vende të NATO-s”, ndërsa Shqipëria reagoi me humanizëm.
Rama theksoi se vendi, ndonëse i vogël dhe me burime të kufizuara, veproi me humanitet duke treguar “shpirt të madh”.
“Tek ata që mbetën në mëshirën e një turme vrasësish, ne pamë pasqyrën e shpirtit tonë. Dhe shpirti ynë nuk mund të ishte më i vogël se ai i atyre që janë më të mëdhenj dhe më të pasur se ne”, deklaroi ai.
Kryeministri vlerësoi lartë rolin e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, duke e cilësuar si “institucion moral të shoqërisë shqiptare”, që ka krijuar një kulturë të re solidariteti.
Ai shprehu mirënjohje për themeluesin Arbër Hajdari dhe të gjithë vullnetarët e nismës, të cilët prej 10 vitesh kontribuojnë për njerëzit në nevojë.
“‘Fundjava Ndryshe’ është një palestër e shpresës dhe një trajner i disiplinës së bamirësisë,” tha Rama, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj nisme për ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më të bashkuar.