Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Krimet mjedisore janë ulur, një nga aspektet më të vështira të procesit të negociatave


Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin “Për ty natyrë”, ku deklaroi se qeveria po përgatit një proces të ri reformimi për mjedisin, biodiversitetin dhe pyjet, sektorë që sipas tij duhet të hyjnë në një fazë të re zhvillimi të qëndrueshëm.

Rama theksoi se kapitulli i mjedisit në negociatat me BE është ndër më të vështirët dhe kërkon një qasje të re ndaj zonave të mbrojtura.

Ai kujtoi moratoriumet e viteve të shkuara për prerjen e pyjeve dhe gjuetinë, duke i cilësuar si masa që sollën rezultate pozitive në ripërtëritjen e pyjeve dhe faunës.

“Jemi të fokusuar tek njëri nga aspektet më të vështira të procesit të negociatave, i mjedisit, ku padiskutim mënyra se si shihen, trajtohen dhe promovohen zonat e mbrojtura është një pjesë strategjike e gjithë këtij kompleksi që lidhet me natyrën që na rrethon.

Duke kthyer kokën pas, padiskutim që ka shumë arsye për të qenë krenarë ku jemi sot, na u desh një dekadë më parë të bëjmë dy ndërhyrje shumë radikale për të siguruar marrjen e një kthese të domosdoshme ku qoftë prerja e paligjshem e pyjeve apo gjuetia e paligjshme ishin bërë plagë reale që zgjeroheshin mbi trupin e natyrës së Shqipërisë.

Sot mund të shikojmë me krenari rezultatet e moratoriumeve që asokohe krijuan debat dhe u panë me shumë dyshim, qoftë në aspektin e ripërtëritjes së pyjeve apo faunës në Shqipëri.

Në tërësi, zonat e mbrojtura dhe territoret e natyrës ishin në agresionin e vazhdueshëm të ndërtimeve të paligjshme, të ndotjeve dhe më vjen mirë që sot bilanci flet për një ulje të konsiderueshme të krimeve mjedisore për një vënie në një kontroll të konsiderueshëm të territorit në aspektin e mbrojtjes së mjedisit nga agresioni i ndërtimeve pa leje, por edhe për kufizim të konsiderueshëm të ndotjes.

Asnjë prej këtyre elementëve nuk është ende asgjesuar si problematikë dhe në tërësinë e këtyre elementëve, ajo çka përbën një pikë të domosdoshme për të siguruar një ecuri të suksesshme në këtë proces që lidhet me negociatat për anëtarësim, por edhe drejtpërdrejt me të nesërmen, është nje menaxhim shumë më i mirë dhe më i sigurt i pyjeve.

Pikërisht për këtë arsye, me ministrin me mjedisit jemi angazhuar në një process reformimi të modelit të menaxhimit të pyjeve e natyrës në tërësi, një reformim që duhet të fillojë nga një ristrukturim i agjencisë kombëtare të zonave të mbrojtura e pyjeve, duke i bërë bashkë dhe krijuar një sinergji mes të dyjave për të pasur një agjenci që të meret 360 gradë me zonat e mbrojtura me pyjet.”, tha Rama.