
Sipas një raporti të fundit të bankës zvicerane UBS, në botë ka më shumë miliarderë se kurrë më parë. Raporti tregon se sot numërohen 2,919 miliarderë, një rritje prej 8.8% krahasuar me vitin 2024. Pasuria e tyre e kombinuar arrin në rreth 15.8 trilionë dollarë, me një rritje vjetore prej afërsisht 13%. Kjo tregon se jo vetëm që po shtohen miliarderë të rinj, por edhe ata ekzistues po pasurohen më tej. Të dhënat e UBS janë bazuar në sondazhe të klientëve miliarderë dhe një bazë të dhënash të ndërtuar në bashkëpunim me PwC.
Raporti vë në dukje se gjatë vitit 2025 u shtuan 287 miliarderë të rinj, ku rreth 70% e tyre janë “self-made”, pra e kanë ndërtuar vetë pasurinë e tyre. Ndër miliarderët e rinj, 91 kanë trashëguar pasurinë, përfshirë edhe anëtarë të familjeve të rëndësishme farmaceutike në Gjermani. Po ashtu, gjatë 15 viteve të ardhshme pritet që rreth 5.9 trilionë dollarë të kalojnë tek trashëgimtarët e miliarderëve, çka sipas raportit do të ruajë ose rrisë më tej numrin e tyre, shkruan Enterpreneur.
Një tjetër faktor i rëndësishëm në shpërthimin e pasurisë është rritja e fuqishme e kompanive të teknologjisë të nxitur nga Inteligjenca Artificiale, si Nvidia, Meta dhe Oracle. “The Magnificent Seven” — Nvidia, Amazon, Apple, Meta, Microsoft, Google dhe Tesla — kanë regjistruar një rritje të kombinuar prej 25% të çmimit të aksioneve këtë vit. Kjo ka çuar në një zgjerim të jashtëzakonshëm të pasurisë së miliarderëve të teknologjisë, si Larry Ellison i Oracle dhe Jensen Huang i Nvidia-s.
Ellison renditet si personi i dytë më i pasur në botë, me një pasuri prej 274 miliardë dollarësh, e cila është shtuar me 104 miliardë vetëm që nga fillimi i vitit falë bumit të AI. Ndërkohë, Huang, i cili sot mban vendin e nëntë në listën globale, ka parë pasurinë e tij të rritet me 45 miliardë dollarë, duke arritur në 159 miliardë, sipas Bloomberg Billionaires Index.
Në SHBA ndodhen 924 miliarderë, që përfaqësojnë gati një të tretën e miliarderëve globalë. Vetëm në vitin 2025, SHBA shtoi 87 miliarderë të rinj të vetëkrijuar, mes tyre Ben Lamm, bashkëthemelues i kompanisë Colossal, dhe Michael Dorrell, bashkëthemelues dhe CEO i Stonepeak.
Tre të katërtat e miliarderëve në botë (75%) konsiderojnë teknologjinë dhe AI-n si sfidën kryesore që brezat e rinj do të duhet të përballin. Njëri prej tyre i tha UBS-së:
“E shoh AI-n si një mundësi të jashtëzakonshme, por edhe si një sfidë. Pyetja është: si mund të sigurohemi që teknologjia t’i shërbejë shoqërisë dhe të mos zëvendësojë prekjen njerëzore, e cila është kaq e rëndësishme në mikpritje dhe në jetën e përditshme?”