
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me tone të forta përmes një video-deklarate të publikuar në rrjetet sociale, ku denoncon atë që qeveria e ka prezantuar si Paqe Fiskale, por që sipas saj është një amnisti fiskale e maskuar dhe një nga nismat më të rrezikshme për financat publike dhe ekonominë shqiptare.
Tabaku theksoi se, pavarësisht se projektligji është në proces miratimi, qeveria nuk ka ofruar transparencë minimale për listën e përfituesve.
“A janë përfitues koncesionarë? A janë kompani që kanë marrë PPP? Apo janë evazorët fiskalë që kanë shmangur detyrimet ndër vite? Qeveria po refuzon të japë informacion dhe nuk e kuptoj kë po mbron me këtë mungesë transparence,” deklaroi ajo.
Sipas kryetares së Komisionit të Mediave dhe të Drejtave të Njeriut, kjo nismë dëmton drejtpërdrejt bizneset e ndershme që kanë paguar rregullisht taksat.
Ajo paralajmëroi se modeli i propozuar nga qeveria i nxit subjektet të mos paguajnë detyrimet, duke minuar themelet e sistemit tatimor dhe besimin te ligji.
Pjesa më e rrezikshme, sipas Tabakut, lidhet me skemën që parashikon pagesë me normë më të ulët taksimi për tre vite për bizneset që nuk deklarojnë burimin e të ardhurave.
“Kjo është një mundësi konkrete për pastrim parash dhe legalizim të kapitaleve të pista në ekonomi,” u shpreh ajo, duke shtuar se as drejtësi tatimore dhe as moral fiskal nuk ekzistojnë në këtë paketë.
“Një taksë duhet të jetë e drejtë dhe morale. Paqja Fiskale nuk ka as të drejtë, as moral. Është një nga projektligjet më korruptivë që ka kaluar në këtë Parlament,” përfundoi Tabaku.
Deklarata e saj vjen në vijim të shqetësimeve të shprehura më herët nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa opozita paralajmëron se nisma mund të jetë një dëm i rëndë për ekonominë dhe imazhin e vendit.