
Një projektvendim i nxjerrë për konsultim nga Ministria për Ekonominë dhe Inovacionin parashtron se investimet e huaja direkte në fusha sensitive që lidhen me sigurinë dhe rendin do t’i nënshtrohen një hetimi më të thelluar.
Drafti është nxjerrë për konsultim nën emërtimin “Projektvendim “Për miratimin e rregullores mbi procedurat për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që lidhen me ose ndikojnë infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me të dhëna kritike, qasjen në informacion të ndjeshëm apo për lirinë e medias”.
Konkretisht drafti sqaron se investim i huaj direkt që i nënshtrohet shqyrtimit do të thotë një investim i huaj direkt që i nënshtrohet një vlerësimi ose hetimi formal në përputhje me një mekanizëm shqyrtimi.
Lidhur me këtë “Investime të huaja direkte në sektorë të ndjeshëm” janë investimet që lidhen me infrastrukturën, asetet, mallrat ose shërbimet që janë thelbësore në sektorët e energjisë, transportit, shëndetësisë, teknologjive të informacionit dhe komunikimit ose infrastrukturës dixhitale, dhe përqindja e pjesëmarrjes në ndërmarrjen e synuar arrin të paktën 25% ose kur objektivi rrit pjesëmarrjen në ndërmarrje në nivelet 30% , 40% , 50% dhe 75% .
Kurse “Investimet e huaja direkte në sektorë veçanërisht të ndjeshëm” janë investimet kur përqindja e pjesëmarrjes në ndërmarrjen e synuar është të paktën 10% dhe aktiviteti i ndërmarrjes lidhet me infrastrukturat, asetet, teknologjitë, mallrat ose shërbimet, duke përfshirë shërbimet e kërkimit dhe zhvillimit.
Kalimin në filtra më të hollësishëm të këtyre investimeve do ta bëjë një komitet i emërtuar si Komiteti Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte për arsye sigurie ose rendi publik (KNKIHD, i cili kryen shqyrtimin e investimeve të huaja direkte dhe në të cilin marrin pjesë një seri institucionesh nga ministritë tek Agjencia Kombëtare e Inteligjencës apo AKSHI.
Fusha e veprimit të ligjit
Drafti parahsikon disa raste të veçantë që merren parasysh për një investim të huaj.
Në nenin katër pika dy thuhet:
“Për të përcaktuar nëse një investim i huaj direkt ndiko në sigurinë ose rendin publik, do të merret parasysh, në veçanti:
a)nëse investitori i huaj kontrollohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga qeveria, duke përfshirë organet shtetërore ose forcat e armatosura, të një vendi të tretë, duke përfshirë edhe përmes strukturës së pronësisë ose financimit të konsiderueshëm;
b)nëse investitori i huaj ka qenë tashmë i përfshirë në aktivitete që ndikojnë në sigurinë ose rendin publik në një shtet anëtar të BE-së; ose
c)nëse ekziston një rrezik serioz që investitori i huaj të përfshihet në aktivitete të paligjshme ose kriminale”.
Kriteret kur një investim vlerësohet
Neni 8 i rregullores përcakton se një investim i huaj direkt vlerësohet për arsye sigurie ose rendi publik kur ndodh:
Nga një investitor i huaj nga një vend i tretë dhe fusha e aktivitetit të subjektit operon në një sektor të përcaktuar të ndjeshëm ose veçanërisht të ndjeshëm.
Nga një investitor i BE-së i cili kontrollohet:
nga një palë e tretë
ose nga një qeveri e një vendi të tretë, duke përfshirë entitetet shtetërore ose ushtarake,
c)Nëse një investitor i BE-së përfshin një pjesëmarrje prej 10% ose më shumë nga një vend i tretë ose qeveria e tij, dhe objekti operon në sektorë veçanërisht të ndjeshëm. Kjo vlen edhe nëse investitori i BE-së merr fonde, kredi ose burime të tjera nga një vend i tretë që mund të ndikojnë në vendimet strategjike, edhe nëse pjesëmarrja në kapital është nën 10%.
Pjesëmarrja e huaj në ndërmarrjet në sektorë të ndjeshëm ose veçanërisht të ndjeshëm llogaritet:
Kur një person blerës mban të paktën kuotën përkatëse të të drejtave të votës së këtij personi tjetër të huaj, ose ushtron një interes kontrollues mbi këtë person tjetër të huaj,
një person i tretë i huaj mban të paktën kuotën e specifikuar të të drejtave të votës te personi blerës dhe te personi tjetër i huaj, ose
një person blerës ka lidhur një marrëveshje me këtë person tjetër të huaj për ushtrimin e përbashkët të të drejtave të votës.
një marrëveshje midis dy ose më shumë personave të huaj që marrin pjesë në sipërmarrjen e synuar për ushtrimin e përbashkët të të drejtave të votës, nëse ata së bashku mbajnë të paktën kuotën minimale të të drejtave të votës, ose përfundimin e një marrëveshjeje për ushtrimin e përbashkët të të drejtave të votës midis dy ose më shumë personave të tillë të huaj, nëse të paktën njëri prej tyre mban të paktën këtë kuotë të të drejtave të votës.
Kuota minimale do të thotë 50% e të drejtave të votës ose çdo pjesëmarrje më e ulët në aksione që jep të drejtën e vetos ose të ushtrimit të ndikimit vendimtar mbi vendimet strategjike të subjektit.
Drafti merr parasysh procedurën që ndiqet, informacioni që kërkohet, hallkat që përfshihen dhe mënyrën sesi përpunohen të dhënat.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor