
Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e drogës.
Ai theksoi se kartelet shqiptare janë fuqizuar në nivele të paprecedentë, duke ndikuar madje edhe në procese elektorale në Amerikën Latine.
“Kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës në regjimin e Edi Ramës luan një rol përcaktues edhe në rezultatin e zgjedhjeve, në vendimet e gjykatave, në vendimet e ekzekutivit.
De facto, droga dhe kartelet janë vendimmarrësit kryesorë të vendit. Kartelet shqiptare janë bërë sot të fuqishme, përcaktojnë rezultate elektorale edhe në Amerikën Latine.
Këto kartele nga Shqipëria janë eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, Shqipëria është eksportuesi numër një, por tani këto kanë kapur në dorë kokainën në Amerikën Latine dhe janë përcaktuesit e tregut në Amerikën Latine”, tha Berisha.
Në takimin me aleatët, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se zgjedhjet i ftoi për shkak të mbështetjes që ka nga kartelet e drogës.
“Duke ardhur këtu tek ju, prita kryetarin e një dege të PD. Çfarë më tregoi? Një familje tre vetësh, mbështetës tradicionalë të opozitës, dy ditë pas zgjedhjeve më erdhi kryefamiljari, më tha: unë po të rrëfej një gjë. Natën e zgjedhjeve, trokiti në derë një person.
Më la një zarf dhe iku. Në zarf shkruhej ‘mos shko nesër në zgjedhje’ dhe ishin 1 mijë euro. Gjithë natën u rropata të shkoj apo të mos shkoj.
Pse të mos shkoj, po nga ana tjetër, edhe kërcënimi ishte brenda sepse lekët m’i dha dhe shkuarja mendoja se çfarë pasojash mund të ketë. Si përfundim nuk shkova. Ky njeri i ndershëm, të themi atë që është. Dhe ky është efekti ndër më minimalët se efektet e tjera janë edhe më mizore. Se kërcënimet e tjera janë më mizore”, tregoi Berisha.