
Në një ndër ndërhyrjet më të forta të ditës në Kuvend, kryetarja e Komisionit të Medias dhe të Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se me paketën e re të “paqes fiskale” po legalizon informalitetin dhe po krijon një mekanizëm të rrezikshëm që i shërben një grushti zyrtarësh dhe klientëve të pushtetit, duke cenuar ndershmërinë dhe barazinë për tatimpaguesit e rregullt.
Tabaku deklaroi se ka dërguar katër kërkesa zyrtare për transparencë në Ministrinë e Financave, Tatime dhe Dogana, por ka marrë përgjigje “pa përgjigje”, ndërsa për pyetjet e saj lidhur me përfaqësuesit e procesit të paqes fiskale nuk ka ende asnjë informacion.
“Minimumi që kërkojnë qytetarët dhe biznesi është transparenca. Këto ligje nuk po bëhen për ekonominë, por për ata që kanë mashtruar sistemin”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, projektligji është hartuar me nene “për studio të veçanta, për ish-ministra, për ministra aktualë dhe për ata që kanë çertifikuar bilance të rreme”.
Ajo theksoi se çdo vend i BE-së publikon emrat e përfituesve të amnistive tatimore, ndërkohë që qeveria shqiptare e fsheh këtë proces, duke shkelur standardet minimale të transparencës dhe duke rrezikuar sistemin fiskal.
Deputetja nënvizoi se “paqja fiskale” nuk është thjesht falje detyrimesh të prapambetura, por një formë amnistie e dyfishtë që taton të ardhura të parealizuara dhe u premton bizneseve imunitet nga kontrollet e ardhshme.
“Kjo është praktikisht legalizim i aktiviteteve jozyrtare, edhe për ato që do të ndodhin në të ardhmen”, tha ajo, duke paralajmëruar se një precedent i tillë rrezikon stabilitetin e sistemit të taksave.
Në vijim të fjalës, Tabaku e zhvendosi vëmendjen tek barrat fiskale që rëndojnë buxhetin nga PPP-të dhe koncesionet, të cilat kanë arritur nivele alarmante.
Sipas saj, shuma e kontratave i afrohet gjysmës së Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe në disa raste kostoja e tyre trefishohet sepse risku mbahet plotësisht nga shteti.
“Nga inceneratorët, tek kontratat e shëndetësisë dhe ato të rrugëve, shteti shqiptar e ka zhdukur garën publike. Kontratat jepen me mesazhe dhe jo me konkurrencë”, u shpreh deputetja.
Ajo shtoi se gjysma e këtyre kontratave po hetohen nga SPAK për dyshime të rënda korrupsioni me mbi 1 miliard euro dëm ekonomik, ndërsa Shqipëria mban tashmë rekordin e “vjedhjes më të madhe të fondeve të BE jashtë BE-së”, sipas programit IPARD.
Tabaku kritikoi qeverinë për mungesë reflektimi dhe përballje me realitetin: “Nuk është garë kush ofendon më shumë, por kush mbron të vërtetën. Ne kemi parë ministra të Financave të largohen njëri pas tjetrit dhe fatin e tyre e përcakton i njëjti sistem që prodhon privilegje për pakicën dhe dëmton shumicën.”
Në fund të fjalës, deputetja deklaroi se grupi i saj parlamentar nuk do të mbështesë disa nga marrëveshjet e sotme, edhe ato që lidhen me grantet, për shkak të kontekstit të thellë korruptiv që shoqëron menaxhimin e financave publike.
Ajo kërkoi hetime të plota dhe transparencë të menjëhershme, duke theksuar se institucioneve të drejtësisë duhet t’u hapet rruga pa pengesa politike.
“Ka ardhur koha të ndërtojmë një sistem të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm. Qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën dhe të mbrohen nga një model qeverisje që ka braktisur interesin publik”, përmbylli Tabaku.