Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj u drejtohet deputetëve të rinj të PS-së: Thirrini mendjes, as këta nuk e imagjinonin burgun dikur


Në seancën e sotme plenare, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mbajti një fjalim të ashpër drejtuar deputetëve të rinj të Partisë Socialiste, duke i akuzuar ata se po justifikojnë, sipas tij, akte të rënda korrupsioni brenda qeverisë.

Shehaj u ndal te çështja e ministrave të përfshirë në hetime, duke theksuar se mbrojtja që disa deputetë socialistë po u bëjnë këtyre rasteve dëmton qytetarët dhe sistemin publik të shëndetësisë.

“Akoma nuk e keni bërë karrierën në PS, jeni thjesht deputetë. Nesër ndoshta bëheni ministra, por nëse sot justifikoni vjedhjen e ministres, çfarë do bëni nesër?” u shpreh ai nga foltorja.

Duke iu referuar rasteve të abuzimeve të pretenduara, Shehaj deklaroi se miliona euro që duhej të përfundonin në spitalin Onkologjik janë devijuar drejt “xhepave të Ballukut”, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të rinj për reflektim.

“Jeni të rinj, thirrini mendjes. Edhe këta që sot rrezikojnë burgun, dikur ishin në vendin tuaj. Nuk e imagjinonin se një ditë do të merreshin zvarrë drejt qelisë.”

Në mbyllje të fjalës së tij, Shehaj akuzoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjës kryesor për situatën, duke e lidhur me pasurimin e paligjshëm.

“Nuk ua ka fajin SPAK-u, ua ka fajin Rama, sepse u pasurua më shumë se të gjithë ju bashkë,” përfundoi ai.