Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Balluku s’do rikthehet më në qeveri, me shumë gjasa do kërkohet arrestimi. Besoj se hetimet do shkojnë te kryeministri


Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, komentoi zhvillimet e fundit politike si edhe hetimet që po kryhen ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Ai deklaroi se, sipas tij, Belinda Balluku e ka humbur perspektivën politike dhe se hetimet pritet të thellohen edhe më tej.

“Balluku nuk do rikthehet më në qeveri; për mua rruga e saj politike ka marrë fund. Mendoj se as mandat deputeteje nuk do të ketë më. Jam i bindur se do kërkohet shkarkimi, heqja e imunitetit dhe, me shumë gjasa, edhe arrestimi i saj,” tha Shehaj.

Ai theksoi se situata duhet parë në një kuadër më të gjerë, duke nënvizuar se edhe të tjerë zyrtarë me pushtet të madh po përballen tani me drejtësinë.

“Po të ishte në dorën e tyre, këta do ta kishin shkatërruar SPAK-un, por nuk e kanë mundësinë. Vetëm dje në SPAK ka shkuar drejtoresha e AKSHI-t, një ndër personat me pushtet të jashtëzakonshëm, që deri dje as përmendej.”

Shehaj ngriti gjithashtu pyetjen nëse procesi hetimor në Shqipëri do të ndjekë modelin e vendeve të Europës Lindore, ku hetimet për korrupsion në nivelet më të larta kanë çuar deri te kryeministrat.

“Tani dilema është: a do të ndodhë edhe te ne si në vendet e Lindjes, ku procesi përfundon te kryeministri, apo ky do të jetë rasti i vetëm ku ai nuk preket? Unë besoj fort se hetimet do të shkojnë deri te kryeministri,” u shpreh ai.