Vendosni fjalën kyçe....

Salianji shpalos projektin për rrëzimin e qeverisë dhe bën thirrje për ndryshime në strukturën e PD



Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka detajuar projektin e tij politik për “rrëzimin e qeverisë” dhe ringritjen e Partisë Demokratike, duke kritikuar ashpër drejtuesit aktualë të opozitës për mungesë vizioni dhe komunikimi me bazën.

Gjatë intervistës në Opinion, Salianji tha se takimi i zhvilluar me strukturat e PD në Durrës tregoi se demokratët kërkojnë një parti të zgjuar, aktive dhe të ripërtërirë.

“Ishin 500 njerëz dje në takim. Në Durrës ishte e gjithë struktura e PD: kryetari i degës, 2 nënkryetarët, sekretari i degës, më të votuarit e primareve. Ishin Ilir Alimehmeti, Ndrec Pjetri, Aulon Kalaja, Hysen Kadiu. Shkova për të zgjuar dhe ripërtërirë PD-në”, tha ai. Sipas tij, demokratët janë të lodhur nga retorika pa veprime: “Anëtarësia e PD kërkon revoltë, ne bëjmë foltore. Anëtarësia kërkon analizë, ne themi zgjedhjet janë vjedhur.”

Salianji akuzoi drejtuesit e PD se, ndonëse kanë kaluar 7 muaj nga zgjedhjet, nuk kanë zhvilluar asnjë takim me strukturat lokale.

“A ka parti që nuk takon strukturat pas 7 muajsh nga zgjedhjet? Në Durrës, 7 muaj pas zgjedhjeve, asnjë takim i vetëm”, deklaroi ai, duke shtuar se vetëm pas daljes së tij publike PD nisi të lëvizë: “PD u ‘zgjua’. Nxorrën udhëzimin se si do analizohet 11 maji. Ka sjellë disa pozitive kjo dalja ime.”

Ai u ndal edhe te listat e 11 majit, duke thënë se vendimet e marra zbehën entuziazmin e demokratëve pas ardhjes së këshilltarit amerikan Chris LaCivita.

“Kam reaguar nga burgu për listat e mbyllura. Lista e PD ‘shfryu’ entuziazmin që solli ardhja e LaCivita. Ata që fituan primaret nuk u vendosën as në listë të hapur, as të mbyllur. Cili ka qenë kriteri? Ai që rri më shumë në kafe? Aleancat kush i vendosi?”, tha Salianji.

Ai shtoi se edhe pse kryetari Sali Berisha “bën detyrën e vet”, partia nuk ka hierarki funksionale: “Demotivohet struktura kur themi një gjë dhe bëjmë një tjetër. Pse PD doli në terren pasi piva kafe unë?”

Në intervistë, Salianji deklaroi se synimi i tij është të ndërtojë një alternativë që synon rrëzimin e qeverisë Rama, duke qenë se sipas tij PD nuk mund të presë zgjedhjet e ardhshme pa ndryshime të thella.

“S’mund të presim të vijnë zgjedhjet e tjera, të qajmë prapë. Unë dua të mund Edi Ramën”, u shpreh ai.

Salianji theksoi se mbështetja nga baza ekziston, mjafton që PD të ketë vizion, strukturë dhe reflektim të brendshëm.