
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në një intervistë të publikuar të enjten se Rusia do të marrë kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit në Ukrainë me forcë, përveç nëse trupat ukrainase tërhiqen, një kërkesë që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht.
Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022, pas tetë vjetësh luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase në Donbas, i cili përfshin rajonet e Donetsk dhe Luhansk.
“O i çlirojmë këto territore me forcë armësh, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore,” tha Putin për India Today para vizitës së tij në New Delhi, sipas një klipi të transmetuar në televizionin shtetëror rus, përcjell Reuters.
Ukraina ka deklaruar se nuk ka ndërmend t’i dhurojë Rusisë territorin e saj, të cilin Moska nuk ka arritur ta fitojë në fushën e betejës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se Moska nuk duhet të shpërblehet për një luftë që e nisi vetë.
Aktualisht, Rusia kontrollon 19.2% të territorit të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, e cila u aneksua në 2014, të gjithë Luhanskun, më shumë se 80% të Donetskut, rreth 75% të rajoneve Kherson dhe Zaporizhzhia, si dhe pjesë të vogla të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.
Rreth 5,000 km² të Donetskut mbeten nën kontroll ukrainas.
Në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje të mundshme paqeje për të përfunduar luftën, Rusia ka deklaruar disa herë se dëshiron të kontrollojë të gjithë Donbasin dhe kërkon që SHBA-të të njohin në mënyrë të paformale këtë kontroll.
Në vitin 2022, Rusia shpalli se rajonet ukrainase Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia tani janë pjesë e Rusisë pas referendumeve që Perëndimi dhe Kievi i hodhën poshtë si farsë. Shumica e vendeve, duke përfshirë Ukrainën, vazhdojnë të njohin këto rajone dhe Krimenë si pjesë të Ukrainës.
Putin priti të martën përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Kremlin, duke thënë se Rusia kishte pranuar disa propozime të SHBA-së për Ukrainën dhe se bisedimet duhet të vazhdonin.
Agjencia shtetërore ruse RIA citoi Putinin duke thënë se takimi me Witkoff dhe Kushner ishte “shumë i dobishëm” dhe se ai ishte bazuar në propozime që ai dhe presidenti Donald Trump kishin diskutuar në Alaska në gusht.