
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zgjedhur sekretarin e tij ushtarak, Gjeneral Major Roman Gofman, për të shërbyer si drejtori i ardhshëm i agjencisë së inteligjencës Mossad, njoftoi zyra e tij të enjten.
Në një deklaratë, zyra e Kryeministrit tha se Netanyahu arriti në këtë vendim pas intervistimit të disa kandidatëve, dhe emërimi i Gofmanit do t’i paraqitet komitetit këshillimor që shqyrton emërimet e larta. Ai do zëvendësojë kreun aktual të Mossad-it, David Barnea, i cili pritet të përfundojë mandatin e tij pesëvjeçar në qershor 2026.
Deklarata detajoi përvojën e gjerë operacionale dhe komanduese të Gofmanit në IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit). Ai më parë ka shërbyer si ushtar dhe komandant në Korpusin e Blinduar; komandant i Batalionit të 75-të të Brigadës së 7-të të Blinduar; oficer operacionesh i Divizionit të 36-të; komandant i Brigadës Etzion; komandant i Brigadës së 7-të të Blinduar; kreu i Divizionit të 210-të; komandant i Qendrës Kombëtare të Stërvitjes Tokësore; dhe shef i shtabit të Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare në Territore. Aktualisht ai shërben si sekretar ushtarak i Netanyahut.
Netanyahu vlerësoi kandidatin, duke e quajtur Gofmanin “një oficer shumë të dalluar”. Ai tha se emërimi i Gofmanit si sekretar ushtarak gjatë luftës demonstroi “aftësi të jashtëzakonshme profesionale”, duke përmendur hyrjen e tij të shpejtë në detyrë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë në fronte të shumta.
Kryeministri tha se Gofman kishte mbajtur koordinim të vazhdueshëm me shërbimet e inteligjencës, “veçanërisht me Mossad-in”, dhe kishte treguar “kreativitet, iniciativë, zgjuarsi taktike, kuptim të thellë të armikut dhe diskrecion e fshehtësi të plotë”.
Netanyahu shtoi se lidershipi dhe guximi i Gofmanit ishin të dukshme në fillim të luftës, kur ai “nxitoi nga shtëpia e tij dhe luftoi terroristët e Hamasit në rajonin kufitar të Gazës, ku u plagos rëndë”. Ai tha se Gofman ishte “kandidati më i përshtatshëm dhe më i denjë” për të udhëhequr Mossad-in dhe i uroi sukses, duke theksuar se “suksesi i tij është suksesi ynë”, shkruan Ynet.