
Presidenti francez Emmanuel Macron ka ngritur alarmin për rrezikun e “shpërbërjes së rendit ndërkombëtar” gjatë takimit me Xi Jinping në Pekin, në një moment kur tensionet tregtare mes Kinës dhe Evropës po rriten ndjeshëm.
“Ne po përballemi me një kërcënim serioz: shpërbërjen e rendit ndërkombëtar që ka garantuar paqe për dekada me radhë. Në këtë situatë, dialogu mes Kinës dhe Francës është më i rëndësishëm se kurrë,” deklaroi Macron të enjten pas bisedimeve me liderin kinez.
Ai shtoi se ekzistojnë shumë pika ku qëndrimet e tyre përputhen: “Ndonjëherë kemi mospajtime, por mbetet detyra jonë të gjejmë mënyrat për t’i kapërcyer ato… në funksion të një multilateralizmi efektiv, në të cilin ne besojmë.”
Më herët, Xi Jinping i kishte kërkuar Macron-it të “mbante lart flamurin e multilateralizmit” dhe të mos lejonte ndikime të jashtme të ndërhynin në marrëdhëniet midis dy vendeve. Komentet e tij, të bëra në Sallën e Madhe të Popullit, u interpretuan si një referencë e tërthortë ndaj pretendimeve se qasja evropiane ndaj Kinës është duke u ndikuar nga administrata amerikane e Presidentit Donald Trump, e cila shihet si më konfrontuese.
“Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Francën duke u nisur nga interesat themelore të popujve tanë dhe interesat afatgjata të komunitetit ndërkombëtar, duke shmangur çdo lloj ndërhyrjeje,” tha Xi gjatë takimit.
Vizita aktuale e Macron-it në Kinë është e katërta që prej vitit 2017 kur ai mori detyrën si president dhe vjen në një kohë kur ai pritet të marrë presidencën e G7-ës në vitin 2026, me synimin për të adresuar çekuilibrat ekonomikë globalë. Ndërkohë, tensionet mes Evropës dhe Pekinit janë rritur për shkak të balancave tregtare dhe investimeve të Kinës, të nxitura kryesisht nga modeli i saj ekonomik i orientuar drejt eksportit.
Çekuilibri ekonomik
Macron theksoi se ka ardhur momenti për të hapur “një kapitull të ri” në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, duke i bërë thirrje Kinës të rrisë investimet në Evropë deri në vitin 2030 si pjesë e një dinamike të re investimesh dypalëshe. Ai paralajmëroi se çekuilibrat aktualë “po bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshëm”.
“Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, do të përballemi me një krizë,” paralajmëroi ai, duke shtuar se një luftë tregtare do të ishte “zgjidhja më e gabuar”.
Ndër shqetësimet kryesore të vendeve evropiane mbeten kontrollet e eksportit nga Kina për mineralet e rralla, prodhimin e të cilave ajo e dominon dhe që janë thelbësore për sektorët industrialë, nga automobilat te mbrojtja.
Më vonë gjatë ditës, Xi Jinping deklaroi se ai dhe Macron kishin rënë dakord të forconin bashkëpunimin në sektorë si hapësira ajrore, energjia bërthamore, biofarmaceutikët dhe inteligjenca artificiale, si dhe në fusha të tjera që variojnë nga ruajtja e pandave deri te “qeverisja globale”.
Ai vuri në dukje se plani i ardhshëm pesëvjeçar i Kinës, që pritet të prezantohet në mars, do të krijojë mundësi për industrinë franceze, pavarësisht fokusit të theksuar të Pekinit tek vetë-mbështetja industriale.
“Kina mbështet kompanitë kineze që kanë kapacitete dhe dëshirë të investojnë në Francë,” tha Xi para drejtuesve të biznesit, megjithatë pa dhënë angazhime konkrete.
Qëndrimi për Ukrainën
Xi përsëriti se Kina mbështet paqen në Ukrainë, por nuk përmendi kërkesën e vendeve evropiane që çdo proces paqeje duhet të nisë me një armëpushim. Franca ka këmbëngulur që Kina të luajë një rol ndërmjetësues në konfliktin Rusi–Ukrainë, megjithëse deri tani rezultatet kanë qenë të kufizuara.
Takimi u zhvillua ndërkohë që një gjyqtar në Francë pritet të vendosë këtë javë për një pezullim tre-mujor të aktivitetit të Shein, kompanisë së shitjes me pakicë me origjinë kineze, pas zbulimit të produkteve të paligjshme në ofertat e saj.
Ndërkohë, Kina ka hapur një sërë hetimesh anti-dumping kundër produkteve evropiane. Nëse çështja e konjakut është zgjidhur kryesisht, hetime të tjera – veçanërisht mbi produktet e qumështit të BE-së – janë ende në proces, me vendime për tarifa të reja që priten brenda javëve të ardhshme, sipas burimeve të industrisë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times