Vendosni fjalën kyçe....

Kaso: Tenderat si pronë private, ministrat si vasalë të shtetit — ky është modeli i Ramës


Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, deklaroi në seancën plenare se pas pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku, radha i vjen vetë kryeministrit Edi Rama, pasi – sipas tij – ai është “shefi i të gjitha aferave” që janë bërë publike.

Kaso akuzoi kryeministrin se ka ngritur një model qeverisjeje ku tenderat trajtohen si pronë private, ndërsa ministrat shndërrohen në vasalë të shtetit.

“Është dëshmia më e mirë e modelit të qeverisjes së Edi Ramës. Modeli është i thjeshtë: tenderat si pronë private, ministrat si vasalë të shtetit. Institucionet si mburojë për të pandehurit, siç na dëshmoi duke bërë edhe avokatinë e ministres në GJK. Ministrja Balluku është vetëm një produkt i kësaj kulture,” u shpreh ai.

Duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit përballë çështjes Balluku, Kaso tha se Rama ndërhyn për të mbrojtur interesat e veta politike, jo ligjin.

“Kur drejtësia nuk guxon të prekë këtë nyje, Rama menjëherë i del në mbrojtje. Jo për ligjin, as për shtetin, por për të pandehurin e tij. Kryeministri mashtron publikisht që drejtësia të pezullojë ministre. E kundërta është e vërtetë: në Rumani, Bosnjë dhe Itali janë përjashtuar dhe pezulluar. Vetëm në Shqipëri Rama e kthen korrupsionin në normë,” tha ai.

Kaso paralajmëroi se precedenti që, sipas tij, kryeministri kërkon të instalojë sot për të mbrojtur Ballukun, nesër do të përdoret për të mbrojtur çdo zyrtar të korruptuar të pushtetit.

“Ky precedent që kërkohet të instalohet nga kryeministri sot mbron Ballukun dhe nesër çdo hajdut të pushtetit. Sepse e ka fare të qartë që pas Ballukut i vjen vërtet atij radha. Rama është shefi i aferave që tashmë janë bërë të njohura nga drejtësia,” përfundoi deputeti demokrat.