Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Pezullimi i Ballukut ka bllokuar fluturimet me Kanadanë


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, masë sigurie e vendosur nga Gjykata e Posaçme.

Rama argumenton se Gjykata Kushtetuese duhet të pranojë ankimimin e qeverisë, pasi pezullimi, sipas tij, po pengon funksionimin normal të qeverisë dhe interesin publik.

Në një postim në platformën “X”, kryeministri deklaroi se diskutimet teknike me palën kanadeze kanë përfunduar dhe se “kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve transoqeanike midis dy vendeve”.

Por sipas Ramës, procedura nuk mund të vazhdojë, pasi “autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër”.

Ai shtoi se pezullimi i Ballukut “vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit”.

Rama theksoi se bllokimi nuk kufizohet vetëm te marrëveshja me Kanadanë, duke nënvizuar se “aktualisht ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm aktet për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin”.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese, e cila pritej të vendoste nesër nëse do ta kalonte për shqyrtim ankimin e qeverisë, njoftoi se ka shtyrë mbledhjen për datën 12 dhjetor.

Në njoftimin zyrtar thuhet: “Shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.”

 

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:

Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi në fjalë vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.

Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.”