Vendosni fjalën kyçe....

Mediu: Opozita duhet të organizohet në çdo skaj të vendit, nuk mjafton të reagojë vetëm në Kuvend


Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se opozita duhet të intensifikojë komunikimin me qytetarët dhe të zhvillojë një aksion të përditshëm në të gjithë vendin.

Në një intervistë për “News24”, Mediu komentoi edhe takimet e deputetit Ervin Salianji, duke theksuar se ato nuk duhet të fokusohen vetëm në Tiranë.

“Unë nuk mendoj që opozita ka njerëz tepër. Por ka nevojë të rikthejë marrëdhëniet e saj. Nuk mendoj që opozita duhet bërë vetëm në Tiranë. Duhet bërë në çdo skaj të Shqipërisë, duke respektuar edhe mendimet ndryshe. Çdo gjë duhet të vijë në funksionim sa më të mirë. Është mirë të ngrihen vlera të reja politike”, u shpreh Mediu.

Ai theksoi se opozita duhet të ndërtojë një raport shumë më të fortë me qytetarët, duke shtuar se reagimet e saj nuk mund të kufizohen vetëm brenda sallës së Kuvendit, sidomos në kushtet kur vendi përballet me skandale të shumta.

 “Në këtë situatë që është opozita duhet të bëjë çdo përpjekje. Pasi nuk mundet të ngrihen qytetarë bullgarë dhe të mos ngrihen qytetarë shqiptarë. Po ashtu edhe në Serbi. Pra duhen parë elementët që duhet të sensibilizojë opozita. Por ajo që kam shqetësim është se opozita duket sikur ngelet vetëm në Tiranë. Duhet të ndërtohet një raport i fortë me qytetarët”, tha ai.

Mediu theksoi se koha kërkon angazhim më të gjerë në bazë dhe një qasje të re politike për të forcuar marrëdhënien me publikun, duke nënvizuar se vetëm reagimet në Kuvend nuk mjaftojnë përballë sfidave aktuale.