
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas takimit që ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi me pjesë të strukturave të PD-së në Durrës. Bardhi theksoi se mbështet plotësisht qëndrimin zyrtar të PD-së dhe të kryetarit Sali Berisha, sipas të cilit çdo mbledhje që zhvillohet jashtë forumeve zyrtare të partisë konsiderohet si mbledhje private.
“Nuk ka lidhje intervista ime me ato që bën Salianji. Mbështes qëndrimin zyrtar të PD-së dhe të kryetarit Berisha, që ka thënë se çdo mbledhje jashtë forumeve është private. PD nuk pengon askënd që të shprehë lirisht mendimin e tij apo të takohet me demokratët,” u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se institucionet e PD-së nuk i kanë kufizuar asnjëherë të drejtën e fjalës anëtarëve të saj dhe se çdo drejtues apo anëtar i kryesisë zgjedh vetë nëse takimet me demokratët i bën publike apo jo.
I pyetur nëse takime të tilla mund të tërheqin demokratë të pakënaqur, Bardhi mohoi çdo keqkuptim me bazën, duke theksuar se vendi ka probleme shumë më të rëndësishme sesa kjo çështje.
“Shqipëria ka shumë më shumë probleme që meritojnë kohë dhe vëmendje sesa kjo temë. Nuk shikoj asnjë problem, të jem i vërtetë,” përfundoi Bardhi.