Vendosni fjalën kyçe....

Balliu përplaset me zv.ministren e Infrastrukturës: Rrugë të shtrenjta e pa asnjë standard, burime pasigurie e vjedhjesh


Deputeti i PD-së Klevis Balliu u përplas me zv.ministren e Infrastrukturës Enkelejda Muçaj në një seancë në komisionin parlamenar.

Balliu, i cili është zv. kryetar i Komisionit të Punëve të Brendshëme, tha se rrugët që po ndërtohen nga qeveria Rama janë burim pasigurie që janë ndërtuar për të vjedhur qytetarët dhe jo për t’u shërbyer atyre.

Ai përmendi shembjen e rrugës Qukës-Qafë Plloçë dhe Korçë-Ersekë.

“Projektligji është bosh, pa analiza, pa studime dhe pa transparencë. Qeveria justifikohet me BE-në, por lë rregullat kryesore, peshat, përmasat dhe standardet, t’i vendosë më vonë me vendime të Këshillit të Ministrave. Kjo do të thotë më pak kontroll, më shumë abuzim dhe zero garanci për qytetarët. Siguria rrugore nuk rritet me justifikime, por me standarde, transparencë dhe përgjegjësi dhe asnjëra prej tyre nuk gjendet në këtë projektligj” , tha ai.