
Mbahet këtë të martë seanca në GJKKO për Erion Veliajn.
Ai ndodhet i pranishëm dhe ka mbajtur fjalën e tij para trupit gjykues.
Veliaj theksoi se kjo paraqitja e vonë nuk lidhet me mungesë respekti ndaj gjykatës, por me kërkesën e tij të vazhdueshme për standarde të larta dhe akses të plotë në dosje.
“Është hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore.
Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, as ndaj gjykatës, e aq më pak ndaj drejtësisë.
Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, pikërisht sepse e respektoj rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa asnjë ndërprerje, në gjithë këta muaj, drejtësi dhe standarde të larta në zbatimin e saj.
Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur ti ushtroj.
Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para Jush dhe më ka vendosur në izolim.”, tha ai.