Vendosni fjalën kyçe....

Putin paralajmëron sërish: Nëse Evropa dëshiron luftë, ajo do përfundojë shumë shpejt


Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi të martën Evropën se do të pësonte një disfatë të shpejtë nëse do të përfshihej në një konflikt ushtarak me Rusinë, duke hedhur poshtë propozimet evropiane për paqen në Ukrainë, pak para takimit në Kremlin me dy prej të dërguarve më të fuqishëm të presidentit amerikan Donald Trump, përcjell Reuters.

Trump e ka deklaruar synimin e tij për të i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, përpjekjet e tij, përfshirë një samit me Putinin në Alaskë në gusht dhe bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ende nuk kanë sjellë paqe.

Një set prej 28 propozimesh amerikane për paqe, i publikuar javën e kaluar, shkaktoi alarm në Ukrainë dhe kryeqytetet evropiane, pasi sipas tyre i jepnin Kremlinit një pjesë të madhe të kërkesave kryesore: pengimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, njohjen e kontrollit rus mbi rreth një të pestën e territorit të saj dhe kufizime të ushtrisë ukrainase.

Si kundërpërgjigje, vendet evropiane hartuan një propozim alternativ, ndërsa në bisedimet e Gjenevës SHBA-ja dhe Ukraina njoftuan se kishin ndërtuar një “kornizë të përditësuar dhe të rafinuar” për përfundimin e luftës.

Putin deklaroi të martën se Evropa “e ka përjashtuar veten” nga procesi i paqes, por tani po përpiqet të minojë përpjekjet e Trump me propozime që janë “absolutisht të papranueshme” për Rusinë.

Ai akuzoi vendet evropiane se “janë në anën e luftës” dhe shtoi:

“Nëse Evropa papritur dëshiron të nisë një luftë me ne dhe e nis atë, atëherë ajo do të përfundojë aq shpejt, sa nuk do të ketë askënd më me të cilin të negociojmë në Evropë.”

Putin kërcënoi gjithashtu t’i ndërpresë Ukrainës aksesin në det si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me dron ndaj anijeve të “flotës së errët” ruse në Detin e Zi.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, u panë duke ecur në Sheshin e Kuq së bashku me të dërguarin për investime të Putinit, Kirill Dmitriev. Ata pritet të takohen me Putinin në Kremlin.

Nga Dublini, Zelenskiy tha se gjithçka do të varet nga bisedimet në Moskë:

“Nuk do të ketë zgjidhje të lehta… Është e rëndësishme që gjithçka të jetë e drejtë dhetransparente, që të mos ketë lojëra pas shpinës së Ukrainës.”

Putin tha se diskutimet e deritanishme nuk përbëjnë një draft-marrëveshje, por një seri propozimesh që “mund të jenë bazë për marrëveshje të ardhshme”.

Ai përsëriti se Rusia është gati të bisedojë, por nëse Ukraina refuzon, atëherë forcat ruse “do të avancojnë më tej”.

Një burim rus tha për Reuters se përpjekjet e administratës Trump për paqe përbëjnë “mundësinë më të mirë që nga viti 2022 për t’i dhënë fund luftës”.

 

Situata në front: Rusia pretendon marrjen e Pokrovsk

Konflikti nisi në vitin 2014, ndërsa pushtimi i plotë rus më 2022 ndryshoi ekuilibrat. Aktualisht, forcat ruse kontrollojnë mbi 19% të territorit të Ukrainës, sipas hartave pro-ukrainase.

Në një video të publikuar një ditë para vizitës së Witkoff, Putin përshëndeti marrjen e qytetit të Pokrovsk në lindje, duke e cilësuar si një fitore të rëndësishme pas një fushate të gjatë.

Ushtria ukrainase i tha Reuters se ende mban veriun e qytetit dhe ka sulmuar pozicionet ruse në jug.

Sipas zyrtarëve amerikanë, mbi 1.2 milionë persona janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës, një shifër që as Rusia dhe as Ukraina nuk e publikojnë.

 

Kërkesat kryesore të Rusisë dhe frika e një marrëveshjeje ndëshkuese

Që prej rrjedhjes së propozimeve amerikane, shtetet evropiane po përpiqen të forcojnë pozicionin e Ukrainës kundër asaj që e konsiderojnë një marrëveshje të rrezikshme pro-ruse, e cila mund t’i hapte rrugë:

kthimit të Rusisë në G8,

investimeve amerikane në sektorët rusë të naftës, gazit dhe tokave të rralla.

Kërkesat kryesore të Rusisë përfshijnë:

garanci që Ukraina kurrë nuk do të anëtarësohet në NATO,

kufizime të ushtrisë ukrainase,

kontroll të plotë rus në Donbas,

njohje të pushtimit rus në Krime, Donbas, Zaporizhia dhe Kherson,

“mbrojtje të rusishtfolësve” në Ukrainë.

Kievi i konsideron këto kërkesa si kapitullim të plotë.

Si kundërpeshë, SHBA ka propozuar një garanci 10-vjeçare sigurie për Ukrainën.

Witkoff, Kushner dhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio zhvilluan bisedime me sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, të dielën pranë Miamit.

Zelenskiy ka paralajmëruar se Rusia nuk duhet të shpërblehet për një luftë që e nisi vetë, ndërsa Rusia mohon planet për të sulmuar NATO-n, ashtu siç mohoi se do të sulmonte Ukrainën para pushtimit të vitit 2022.