Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Nëse PD do të zgjidhte të mos futej e vetme në zgjedhje, kjo do të ishte “vetëvrasje politike”



Partia Demokratike ka deklaruar se do të votojë kundër rikthimit të listave të mbyllura në zgjedhje. Kryetari i opozitës, Sali Berisha, në një takim me qytetarë dhe simpatizantë, tha se ky sistem është “jo demokratik” dhe se të gjitha partitë opozitare janë të një mendimi për ta kundërshtuar.

Berisha theksoi se refuzimi i listave të mbyllura duhet të bëhet vetëm si një vendim i përbashkët i gjithë opozitës. Sipas tij, nëse PD do të zgjidhte të mos futej e vetme në zgjedhje, kjo do të ishte “vetëvrasje politike”.

“Ju garantoj se jemi të parët kundër atij sistemi me lista të mbyllura. Nëse opozita nuk do të binte dakord, ajo e kërcënonte PD. Nëse nuk do të hynim në zgjedhje, bënim vetëvrasje,” tha Berisha.

Lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve, Berisha pranoi se procesi i Primareve do të rishikohet. Ai tha se primaret aktuale nuk patën seleksionim dhe i lejuan kujtdo të kandidonte, ndaj sistemi duhet diskutuar me bazën.

“Se si do t’i përzgjedhim kandidatët, do ta vendosni ju. Primaret tona ishin pa seleksionim, ndryshe nga vendet e tjera që i kanë më të strukturuara,” u shpreh ai.

Berisha nënvizoi se PD do të mbetet kundërshtarja më e fortë e listave të mbyllura dhe se vendimmarrja për sistemin zgjedhor dhe mënyrën e kandidimit do të bëhet në konsultim me anëtarësinë.