Vendosni fjalën kyçe....

PD depoziton në Kuvend kërkesë për interpelancë urgjente me Ramën


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka paraqitur në Kuvend një kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama.
Kjo vjen pas padisë që qeveria ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit të GJKKO-së, e cila ka urdhëruar pezullimin nga detyra të ministres Belinda Balluku.

Sipas PD-së, veprimi i qeverisë është antikushtetues dhe përbën ndërhyrje në drejtësi. Opozita thotë se në një vend europian, një ministër i marrë i pandehur për abuzim me fonde publike do të shkarkohej menjëherë, e jo të mbrohej nga kryeministri.

“Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend.

Në një sjellje normale, në një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri duhej të kishte propozuar menjëherë shkarkimin nga detyra të një ministri që është marrë i pandehur për abuzime në disa procedura prokurimi publik, me vlerë miliona euro, dhe kurrsesi nuk mund të sillet si zyrë avokatie për një të pandehur.”

PD akuzon Ramën se po ushtron presion mbi drejtësinë dhe po kërkon t’i dërgojë mesazh institucioneve hetimore se Balluku gëzon mbrojtje politike. Opozita kërkon që Gjykata Kushtetuese të mbrojë procesin e drejtë dhe të pavarur hetimor.

“Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë.

Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike; më saktë është mjet presioni/mesazhi politik dhe nuk synon zgjidhje juridike.

Ne, deputetët e opozitës, vlerësojmë se kërkesa e Kryeministrit Edi Rama, që synon vetëm të japë mesazhin për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik dhe antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, e cila është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm e të papenguar nga organet hetimore.”

Për të lexuar kërkesën e plotë kliko Këtu