
Ka nisur seanca plenare në Kuvend, ku deputetja Ina Zhupa ishte e para që mori fjalën.
Ajo u ndal te lajmi i bujshëm i arrestit të ish-nënkryetares së Komisionit Europian, Federica Mogherini, një prej tre personave të ndaluar nga policia belge të martën, në kuadër të një hetimi të gjerë për mashtrim lidhur me financimin e një akademie në Bruges për diplomatë të rinj.
Lajmi është konfirmuar për Euractiv dhe partnerin e saj De Standaard nga burime të njohura me hetimin.
Zhupa deklaroi në sallë se ngjarja hedh dritë të re mbi debatin e standardeve europiane, duke shigjetuar mazhorancën.
Zhupa tha: “Sot kuptuan të gjithë ç’nënkuptojmë me standard europian. Jam në një dilemë: nëse këta janë të korruptuar dhe zgjedhin të bashkëpunojnë në Shqipëri apo vijojnë e masterizohen këtu për t’u korruptuar.”
Pas fjalës së saj, ministri Niko Peleshi reagoi duke sqaruar se seanca e sotme është e dedikuar për çështje të evidentuara në komunitete dhe se nuk mund të shtohen pika të reja në rendin e ditës.