
Në një akt filantropik të paparë, Michael dhe Susan Dell kanë njoftuar një dhurim prej 6.25 miliardë dollarësh për t’u dhënë 25 milionë fëmijëve amerikanë nga 250 dollarë secilit, me qëllim hapjen e llogarive të investimit për të ardhmen e tyre.
Kjo dhuratë lidhet me programin federal “Investo në Amerikë”, i quajtur gjerësisht “Llogaritë Trump”, themeluar këtë vit si pjesë e ligjit “One Big Beautiful Bill” të administratës Trump. Programi parashikon që çdo fëmijë i lindur midis viteve 2025–2028 të marrë automatikisht një llogari me 1,000 dollarë të financuar nga qeveria.
Kontributi i familjes Dell, i cili do kalojë përmes Departamentit të Thesarit, synon të mbulojë 25 milionë fëmijë shtesë nën moshën 10 vjeç, të cilët nuk përfitojnë nga skema qeveritare. Dell tha se përparësi do t’u jepet zonave me të ardhura mesatare vjetore nën 150,000 dollarë, me synimin për të mbërritur te rreth 80% e fëmijëve amerikanë në këtë grupmoshë.
“Nëse çdo fëmijë mund të shohë një të ardhme për të cilën ia vlen të kursejë, ne mund të ndërtojmë shpresë, mundësi dhe mirëqenie për brezat e ardhshëm,” tha Dell.
Dell, i cili vlerësohet si personi i 11-të më i pasur në botë me një pasuri prej 148 miliardë dollarësh, ka qenë një mbështetës i hapur i programit. Në qershor, ai mori pjesë në një tryezë “Investo në Amerikë” me udhëheqës të tjerë të biznesit, ku Trump e vlerësoi publikisht për ndihmën në zhvillimin e idesë. Dell njoftoi gjithashtu se kompania e tij do barazojë kontributin qeveritar prej 1,000 dollarësh për fëmijët e punonjësve të saj.
Si funksionon programi
Duke filluar nga 4 korriku 2026, prindërit mund të hapin një llogari për fëmijët e tyre dhe të kontribuojnë deri në 5,000 dollarë në vit, ndërsa punëdhënësit mund të shtojnë deri në 2,500 dollarë pa e rritur të ardhurën e tatueshme të punonjësve. Dhuratat filantropike, si ajo e Dell-it, nuk përfshihen në kufirin e kontributeve, shkruan Bloomberg.
Paratë do investohen në fonde të indeksit me kosto të ulët dhe do mbeten të bllokuara deri në moshën 18-vjeçare, kur të rinjtë do të mund t’i përdorin për arsimin e lartë, blerjen e një shtëpie ose nisjen e një biznesi. Fitimet rriten pa taksa, por tatohen kur tërhiqen.
Origjina e idesë
Brad Gerstner, kapitalist sipërmarrës nga Silicon Valley dhe themelues i “Investo në Amerikë”, hodhi idenë në vitin 2023 me synimin për të ulur hendekun e pasurisë dhe për të rritur edukimin financiar. Sipas tij, llogaritë e reja do krijojnë një mënyrë të re për individët, bizneset dhe qeveritë që të investojnë në të ardhmen e fëmijëve.
Dell dhe angazhimi i tij filantropik
Michael Dell e nis historinë e tij të suksesit me një investim prej vetëm 1,000 dollarësh në një dhomë konvikti, që më vonë u shndërrua në gjigantin teknologjik Dell Technologies. Ai dhe gruaja e tij zotërojnë rreth 40% të kompanisë, dhe një pjesë tjetër e madhe e pasurisë së tyre vjen nga aksionet në Broadcom, të cilat janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Dhurimet e çiftit për fondacionin e tyre janë rritur në nivele rekord, duke arritur 3.6 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe 1.45 miliardë dollarë në 2024. Deri më sot, Fondacioni Michael & Susan Dell ka ndarë mbi 2.9 miliardë dollarë, kryesisht në projekte që mbështesin fëmijët, si bursa, shkolla dhe “Qendra Mjekësore e Fëmijëve Dell” në Austin.