
Kina ka lëshuar paketën e parë të lejeve të reja për eksportin e elementeve të tokave të rralla, të cilat pritet të përshpejtojnë dërgesat drejt klientëve të caktuar, tha një burim për Reuters të martën.
Ky zhvillim shënon zbatimin e një prej pikave kryesore të arritura në samitin mes presidentit Donald Trump dhe Xi Jinping në tetor.
Vendimi vjen pas muajsh bllokimesh të tregtisë, që nisën në prill kur Pekini vendosi kontrolle të rrepta mbi eksportet e tokave të rralla, në kulmin e luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Detyrimi për të aplikuar për leje për çdo dërgesë krijoi mungesa dhe paralizoi pjesë të zinxhirit furnizues të industrisë së automjeteve, duke i dhënë Pekinit një kartë të fortë në negociatat me Uashingtonin.
Lejet e reja, të quajtura “leje të përgjithshme”, synojnë të ulin presionin duke lejuar kompani të caktuara të eksportojnë përmes autorizimeve njëvjeçare për klientë të veçantë.
Reuters raportoi ekskluzivisht në nëntor se këto leje ishin një ndër rezultatet kryesore të takimit Trump–Xi.
Tre kompani marrin lejet e para
Sipas burimit, kompania kineze e prodhimit të magnetëve JL Mag Rare Earth ka siguruar leje të përgjithshme për pothuajse të gjithë klientët e saj.
Ndërkohë, Ningbo Yunsheng dhe Beijing Zhong Ke San Huan High-Tech kanë marrë leje për një pjesë të klientëve të tyre. Të tre kompanitë shesin kryesisht për industrinë e automjeteve.
Kompani të tjera si dhe Ministria kineze e Tregtisë nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të Reuters.
Lejet e reja do të funksionojnë paralelisht me sistemin ekzistues të kontrolleve të eksportit.
Aktualisht vetëm kompanitë e mëdha kineze të tokave të rralla kualifikohen për “leje të përgjithshme”, por kriteret mund të zgjerohet nëse procesi rezulton i suksesshëm.
Paqartësi mes Pekinit dhe Uashingtonit
Lejet e reja afrojnë paksa narrativat e kundërta të dy qeverive për atë që u dakordësua në samitin e Koresë së Jugut.
Shtëpia e Bardhë e paraqiti marrëveshjen si një hap drejt “fundit praktik” të kontrolleve kineze të eksportit, ndërsa Pekini ka heshtur për detajet dhe nuk ka dhënë sinjale se synon të heqë dorë nga regjimi i tij i kontrolleve.
Të paqarta mbeten edhe kufijtë se kush do të mund të përfitojë nga lejet. Ekziston mundësia që disa sektorë, si mbrojtja, hapësira ajrore apo gjysmëpërçuesit, të mbeten të përjashtuar nga autorizimet e reja.
Ndërkohë, kompani europiane u ankuan të hënën për vonesa të gjata dhe mungesë transparence në sistemin ekzistues të kontrolleve të eksportit, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e reformës së re kineze.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters