
Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, është liruar nga burgu federal në SHBA, menjëherë pasi mori falje presidenciale nga Donald Trump. Lajmi u konfirmua të martën nga bashkëshortja e tij, Ana Garcia, për DW.
Hernandez po vuante një dënim prej 45 vitesh në burgun “Hazelton” në Virxhinia Perëndimore, pasi ishte dënuar për trafik droge dhe armë. Ai u shpall fajtor se kishte marrë ryshfete nga kartelet për të lejuar trafikun e rreth 400 tonëve kokainë drejt SHBA-së, ndërkohë që paraqitej si aleat i Uashingtonit në luftën kundër narkotikëve.
Garcia falenderoi Trump-in duke thënë se pas “katër vitesh dhimbje dhe pritje”, bashkëshorti i saj është “sërish njeri i lirë”.
Falja ka sjellë reagime të ashpra në SHBA. Senatori demokrat Ed Markey e kritikoi Trump-in për faktin që nga njëra anë po forcon luftën kundër trafikut të drogës, ndërsa nga ana tjetër fal një president të dënuar për trafik droge.
Shtëpia e Bardhë argumentoi se Hernandez ishte “viktimë e tejkalimit të kompetencave” nga prokurorët gjatë administratës Biden. Trump, nga avioni Air Force One, tha se “populli i Hondurasit besonte se ai u kurdis” dhe se dënimi i tij ishte një “skenar politik”.
Hernandez u arrestua në shkurt 2022, pak javë pasi kishte lënë detyrën, me kërkesë të autoriteteve federale të SHBA-së.
Falja ndodh në një moment delikat politik në Honduras, ku po numërohen votat për zgjedhjet presidenciale. Trump ka shprehur mbështetjen për kandidatin konservator Nasry Asfura, i cili është vetëm me qindra vota para rivalit Salvador Nasralla.
Hernandez i përket të njëjtit subjekt politik me Asfura-n, Partinë Kombëtare të Hondurasit.