
Deputetja e PD-së Denisa Vata bëri thirrje për këshillimin me banorët, të cilëve u preken pronat dhe burimet ujore nga projekte të ndryshme si hidrocentralet e koncesione të tjera.
Deputetja e Matit në qarkun e Dibrës solli shembujt e banorëve të fshatit Kurdari në Klos dhe të Martaneshit të cilët kanë kundërshtuar ndërtimet e hidrocentraleve që prekin burimet ujore.
Vata tha se kompanitë private që bëjnë investime duhet të kthejnë mbrapsht një pjesë të të ardhurave te banorët në formën e investimeve në rrugë, kanalizime, shkolla e qendra shëndetësore.
“Dua të ngre një problem që prek të gjithë banorët e zonave ku po ndërtohen hidrocentrale dhe koncesione të tjera. Ata janë pronarë të tokave, ujit dhe kullotave që i kanë trashëguar brez pas brezi. Kur shteti ua merr ato pasuri dhe nuk u jep asgjë mbrapsht, atëherë ata detyrohen të ikin nga fshatrat dhe të braktisin pronat e tyre. Në disa vende të BE-s dhe rajonit, 30 deri në 50% të të ardhurave të një investimi i kalojnë pushtetit vendor duke u kthyer në investime në shëndetësi, ujë, shkolla, rrugë etj. Nuk ka asnjë arsye që një komunitet të mbajë barrën e një hidrocentrali kur nuk merr asgjë mbrapsht.
A do pranojë ndonjëri nga ne që të ndërtohej një hidrocentral në tokën e tij, t’i merrej uji dhe të mos merrte mbrapsht, asnjë mirësi apo investin në këmbim. Ligji parashikon konsultimin publik por tek ne ky proces nuk ekziston fare. 700 banorë të fshatit Kurdari në Klos kanë firmosur kundër hidrocentralit që u merr ujin e domosdoshëm dhe kompania nuk u jep asnjë mbrapsht, asnjë investim.
Nëse përqindja e mësipërme do zbatohej, atëherë pushteti vendor do merrte mjaftueshëm të ardhura për të bërë investime për banorët. Edhe në Martanesh ku po preken liqenit e Sopajve, banorët kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve, teksa theksojnë se kompania nuk i ka dokumentet e nevojshme. Kërkoj konsultim të haour me banorët, ridrejtimin e një pjese të ardhurave të përftuara te pushteti vendosuir dhe zbatimin e ligjit që ndërtimi i veprave të mos dëmtojë komunitetin.” – tha Vata.