
Tregtimi i valutës vijoi të rritej me ritme të shpejta në tremujorin e tretë të vitit. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, vëllimi i tregtimeve u rrit me 24.4% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Tremujori i tretë solli një rritje të ndjeshme të tregtimit krahasuar me dy tremujorët e parë të vitit. Kështu, për 6-mujorin 2025, volumi i tregtimit të valutës ishte rritur me ritme më të ulëta, me 8% krahasuar me një vit më parë. Kjo ecuri shënoi një ngadalësim të ndjeshëm krahasuar me ritmet dyshifrore të rritjes së vitit 2024.
Por, gjatë tremujorit të tretë, rritja e volumit të këmbimeve është përshpejtuar përsëri. Madje, rritja prej 24.4% ishte edhe më e lartë krahasuar me rritjen prej 21% të tremujorit të tretë 2024. Kjo tregon se rritja e volumit të këmbimeve mund të lidhet në një pjesë të madhe me efektin sezonal të turizmit.
Rritja e volumit të këmbimeve është një tregues i tërthortë i faktit që në ekonomi ka hyrë më shumë valutë e huaj.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, të dhënat e bilancit të pagesave, të disponueshme për dy tremujorët e parë, konfirmuan në vazhdimësi një lidhje të ngushtë mes vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe shkëmbimeve të mallrave e të shërbimeve me jashtë. Ato gjithashtu tregojnë
për praninë e ofertës së lartë në valutë në tregun vendas; deficiti i llogarisë korrente rezultoi në nivele të ulëta në gjysmën e parë të vitit, prej 4.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa raporti i mbulimit të tij nga investimet e huaja direkte hyrëse ishte 135%.
Oferta e lartë e valutës i ka forcuar përsëri presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të Euros me Lekun pas tremujorit të tretë. Në muajin tetor, kursi preku një minimum të ri historik, në vlerën e 96.6 lekëve. Edhe në fund të javës së kaluar, Leku ishte shumë pranë këtij niveli, në vlerën e 96.61 lekëve. Megjithatë, ritmet e rënies së kursit Euro-Lek janë ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Aktualisht, rënia vjetore e kursit ka zbritur në 1.6%.
Megjithatë, kjo i detyrohet në një masë të madhe ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë.
Sipas informacionit të dhënë nga Guvernatori Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë kanë arritur në rreth 800 milionë euro, ndërkohë që gjatë të gjithë vitit 2024 ishin blerë 933 milionë euro. Këto shifra tregojnë qartë për ofertën e lartë të Euros në tregun valutor. Në mungesë të blerjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të monedhës europiane do të ishte në nivele edhe më të ulëta.
Në harkun e pesë viteve të fundit, kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka rënë me më shumë se 20%. Burimi i ofertës së lartë valutore në ekonomi mund të identifikohet sidomos tek rritja e numrit të turistëve të huaj dhe te investimet e huaja, veçanërisht ato në tregun e pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, agjentët e tregut perceptojnë gjithmonë edhe një efekt të konsiderueshëm nga prurjet valutore të lidhura me aktivitete informale ose të jashtëligjshme, si një faktor që i ndikon në vazhdimësi treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit, duke përfshirë këtu edhe kursin e këmbimit.
Nga ana tjetër, Leku i fortë edhe për këtë është mbështetur pjesërisht nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria. Suficiti i lartë buxhetor ka ulur ofertën e monedhës vendase në treg dhe ka nxitur më tej tendencat mbiçmuese. Në fund të 9-mujorit, balanca buxhetore ishte pozitive, në rreth 47 miliardë lekë, ose rreth 2.4% e PBB-së./ E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor